Njohësit e ekonomisë: Kosova ka nevojë për një buxhet më të madh

Për njohësit e ekonomisë në vend, buxheti i vitit 2025, është më i madhi ndonjëherë. Megjithëkëtë, ata konsiderojnë se ky buxhet nuk është i mjaftueshëm dhe kanë kërkuar që mjetet e parapara për investime kapitale të shpenzohen. Sipas tyre, kjo do të ndikonte në rritje ekonomike.

Për të pasur rritje ekonomike duhet të shpenzohen mjetet e parapara për shpenzime kapitale. Buxheti i prezantuar nga qeveria, 3.6 miliardë, nuk është i mjaftueshëm për Kosovën. Kështu i ka thënë Radio Kosovës, kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

“Kosova ka nevojë për një buxhet sa më të madh që është e mundur. Ne jemi dëshmitarë që buxheti po rritet çdo vit, mirëpo kërkesa jonë është drejtuar që të rriten sa më shumë shpenzimet kapitale dhe të shpenzohet ato. Këtë vit kanë qenë 800 milionë të parapara për investime, mirëpo, janë shpenzuar vetëm 360 milionë. Shuma është ekstrem e vogël dhe kjo është një prej arsyeve se pse nuk ka pasur rritje ekonomike më të lartë se sa ajo që do të shkojë deri në fund të vitit, përafërsisht 4 e deri në 4.1%”, ka thënë Rafuna.

E ekonomisti Ismet Mulaj, konsideron se ky buxhet prej 3.6 miliardë euro për vitin 2025 është realisht buxheti më i madh i të gjitha qeverive. Ai konsideron se edhe planifikimi i shpenzimeve qëndron mirë sivjet.

“Është buxheti më i madh që kanë krijuar ndonjëherë qeveritë në Kosovë si dhe ndarja e buxhetit është proporcionale ashtu siç janë parametrat që sugjerojnë Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Pra, planifikimi i buxhetit është sipas standardeve por ekzekutimi edhe këtë vit edhe vitet e kaluara ka qenë jo i duhur, jo profesional, dhe jo në harmoni me kërkesat apo planifikimet që ka pasur Ligji për Buxhetin”, tha Mulaj.

Ndërsa Mulaj tha se ky buxhet i realizon disa nga pritshmëritë e qytetarëve, duke shpresuar se me krijimin e klimës për investime të huaja, do të ketë rritje edhe më shumë të buxhetit sepse sipas tij, Kosovës i duhet një rritje ekonomike deri në 8% e jo një e tillë prej 3.8 apo 4%.

Për investime kapitale qeveria ka paraparë 930 milionë euro. Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë afat deri në fund të vitit që ta miratojnë këtë buxhet të vitit 2025.

Go to TOP