Njoftime se administrata Biden i ka dërguar Kongresit raportin mbi strategjinë për luftën në Ukrainë
Administrata e Presidentit Joe Biden i ka dërguar Kongresit një raport të klasifikuar mbi strategjinë e saj për luftën në Ukrainë, thanë të hënën tri burime.
Një zyrtar në Kongres tha se raporti kishte mbërritur te ligjvënësit të hënën dhe se ata nuk kanë pasur ende mundësi ta shqyrtojë atë. Dy burime të tjera, të, cilat nuk pranuan të identifikohen, konfirmuan dorëzimin e raportit. Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkesë për koment.
Kongresi ka miratuar afro 175 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën dhe vendet aleate që kur Rusia nisi agresionin ndaj Kievit.
Pas muajsh të tëra vonese, Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga republikanët miratoi në prill projektligjin prej 95 miliardë dollarësh që përfshinte 61 miliardë dollarë financime për Ukrainën, si dhe miliarda dollarë ndihmë për Izraelin, civilët në zonat e konfliktit në mbarë botën dhe për vendet e rajonit Indo-Paqësor që përballen me rrezikun e Kinës.
Si pjesë e projektligjit, Kongresi i kërkoi administratës së Presidentit Biden të paraqiste një strategji të detajuar për Ukrainën deri në fillim të qershorit.
Mbështetja e Presidentit Biden për Ukrainën përkrahet nga demokratët dhe shumë republikanë në Kongres. Megjithatë, disa republikanë kanë kritikuar administratën e tij për kufizimin e mënyrës sesi Ukraina mund të përdorë armatimet amerikane, si për shembull refuzimin për dërguar armë që mund të godasin objektiva thellë brenda Rusisë, nga shqetësimi se një gjë e tillë mund të çonte në përshkallëzim të konfliktit.
Pasi kaluan disa javë dhe raporti nuk u dërgua në Kongres, disa anëtarë të Kongresit thanë se ishin zemëruar dhe se do të shqyrtonin edhe idenë e bllokimit të fondeve të mëtejshme. /Reuters/