Njëri i akuzuar jashtë vendit, shtyhet seanca ndaj zyrtarëve të Aeroportit “Adem Jashari”
Seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së të akuzuarit Faton Gurguri. Ai, së bashku me tre persona të tjerë, akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare në cilësinë e zyrtarëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Mungesa e Gurgurit u arsyetua nga avokati i tij, Sevdaim Zejnullahu, i cili deklaroi se klienti i tij ndodhet jashtë vendit.
Në këtë rast, përveç Gurgurit, akuzohen edhe Endi Bujupi, Visar Xhekaj dhe Martin Biserov-Alekov për veprimet e tyre gjatë grevës së punëtorëve të aeroportit më 18 gusht 2019. Sipas Prokurorisë, ata kishin dështuar të monitoronin pajisjet e kontrollit të bagazheve, duke lejuar kalimin e tyre pa kontroll adekuat. Si rezultat, 99 bagazhe të dyshuara u ngarkuan në aeroplan, duke rrezikuar sigurinë e udhëtarëve dhe aviacionit civil.
Akuzat përfshijnë keqpërdorim të pozitës zyrtare, dhe të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
