KULTURË

Një Skënderbe më ndryshe

Shkruan: Ilir MUHARrEMI, kritik i artit

Ishte njëherë një Skënderbe me shpatën që nuk e ngrinin dot as katër burra. Pastaj vijoji varianti me trup muskuloz “Bodybilder”, shtatmadh, mbi të cilin nuk peshonte fjala, por forca fizike. Shtrohet pyetja, asokohe a çliroheshin territoret me ide dhe fjalë? Ideja ishte vetëm në strategji, si element parësor dhe kryesor, pra lëvizje e menduar thellë me rezultat drejt fitores, mirëpo forca fizike ndonëse paraprinte idenë dhe fjalën, gjithçka çlirohej me forcë, sikurse edhe sot. Pra Skënderbeu merrte pjesë në beteja, i terrorizonte kundërshtarët si në vijën e parë të frontit dhe diku shkruan se Skënderbeu në perëndim njihet më shumë si luftëtar, me forcë fizike, atlet i shkëlqyer se sa filozof e mendimtar. A duhet besuar kësaj hipoteze? Natyrisht që Skënderbeu i kishte të dyja të theksuara pra lëvizjen,  forcën e brendshme dhe të jashtme fizike dhe idenë. Njerëzorja i përket të së vërtetës pra Skënderbeu me trup njerëzor, ndërsa imagjinata për mbinjerëzoren.

Nga një Skënderbe muskulor, tash është vështirë të zbritet nën atë muskulaturë, kjo i bie sikur kur dëshirohet të qëndrohet mbi ligjin, është rrezik i madh të zbritet nën atë ligj. Ishte një lloj krijimi i mbinjeriut që armiqtë përreth i konsideronte si dobët. Nuk duhet të mohohet mendimi i të krijuarit Skënderbeun në sulm, siç janë krijuar shumë figura të njohura si Napoloni, Aleksandri… Vërtetimi mbi fizionominë e Skënderbeut duhet të hulumtohet në thesaret shkencor që vërtetojnë  fizionominë e tij.

A duhet të interpretohen figurat historike përmes veprave të artit apo mbi faktet historike? Nëse mungojnë faktet, perceptimet mund të gjenden në veprat e artistëve, mirëpo duhet patur kujdes sepse arti është ndjenjë ë brendshme subjektive, i përket artistit, shpirtit të tij, dhe piktura krijohet mbi lirinë e plotë të artistit, e pasi liria zë vendin primar, besimi përtej figurës, a mund të pasqyroj saktësinë?

Në pikturën në vijim shohim një portret të punuar nga artisti i madh Rembrandt. Figura e Skënderbeut paraqitet shumë njerëzore, duket si jeniçer dhe orientalist. Me hundë të drejtë, i zbritur nga kali, intelektual dhe strateg i madh. Ngjyrat janë tipike nga arti Barok, me një sfond të zi dramatik , me dritë dhe hije, në plan krijohet kontrasti i formës, pra modeli i figurës. Ana e majtë e fytyrës është e errësuar, pra një dyzim për figurën.  Sytë i ka të qetë, shikimin e ëmbël, jo të vrazhdë, ashtu siç jemi mësuar ta shohim të gjithë. Rembrandti më shumë e paska paraqitur si Turk se sa si Shqiptar, apo ndoshta e kishte mendimin e parë për të. Kostumi nuk mohon fizionominë shkencore, kjo mbetet më shumë te ana historike dhe hap temë të re diskutimi.

Mund të ngritën hipoteza të ndryshme se këtë portret a e punoi Rembranti? Me një analizë më të thellë piktura duket shumë e “lëpirë” me penel, ndërsa te veprat e Rembrandit dallohet shumë qartë forca e penelit me bojë të trashë sidomos në planin e parë, kurse sfondi na del me bojë shumë të holluar. Për t’u bindur më shumë që vërtetë e ka punuar Rembrandti është trëkëndëshi në mollëzën e majtë në hije.

Rembrandi bëri një përfytyrim njerëzor të figurës, por nuk peshon ndjenjën e saktësisë dhe vërtetimit historik të dukjes së Skënderbeut. Nga vdekja e Skënderbeut dhe lindja e Rembrandit i ndajnë gati 200 vjet.

E Çuditshme se si Ministria e Kulturës apo Muzeu në Krujë nuk kanë qenë në dijeni të kësaj vepre nga Rembrandti. Në Muze në Krujë ka portrete të Skënderbeut nga artistë të huaj, foto të tyre, etj., por nuk përmendet gjëkundi ky fakt.

Shfaq më shumë