Një i vdekur e dhjetëra të zhdukur nga përmbytja e barkës me emigrantë në Greqi

Roja bregdetare e Greqisë ka thënë se një emigrant ka vdekur dhe dhjetëra të tjerë mendohet se janë zhdukur pas përmbytjes së një barke afër ishullit Folegandros.

Trupi i një burri të paidentifikuar u nxor gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit herët të mërkurën, pasi barka u përmbyt rreth 180 kilometra në juglindje të Athinës, shkruan Associated Press, përcjell Kosova.info.

Roja bregdetare tha se dymbëdhjetë persona, të cilët besohet se janë nga Iraku, janë shpëtuar dhe janë dërguar në ishullin Santorini.

Shumica e të mbijetuarve thanë se fillimisht ishin 32 persona në barkë, por njëri u tha autoriteteve se në barkë ishin rreth 50 njerëz.

Roja bregdetare tha se katër barka, dy helikopterë të forcave ajrore e detare, një aeroplan ushtarak i transportit, pesë anije dhe tri barka private janë duke marrë pjesë në operacionin e kërkim-shpëtimit.

Roja bregdetare tha se operacioni filloi të martën në mbrëmje, pasi mori informacione se një barkë me emigrantë ka pësuar prishje të motorit dhe më vonë i është futur uji në jug të ishullit Folegandros.

Greqia është njëra ndër rrugët kryesore drejt Evropës Perëndimore për njerëzit që kanë ikur nga varfëria e konfliktet në Azi, Lindje të Mesme e Afrikë. Shumica e përpjekjeve të emigrantëve për të arritur në këtë shtet bëhen përmes barkave nga bregdeti turk.

Go to TOP