Një delegacion nga Ulqini takohet me Kurtin – ngrenë si shqetësim ndërhyrjen e Kishës Ortodokse Serbe

Deputeti shqiptar në Malin e Zi dhe kryetar i partisë Forca e Re Demokratike, Genc Nimanbegu, ka shprehur në Kosovë shqetësimin për ndërhyrjet e Kishës Ortodokse Serbe në jetën politike e institucionale të Malit të Zi.

Këtë Nimanbegu e ka bërë të shtunën në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje, ku është pritur në takim nga kryetari i kësaj partie dhe njëherit kryeministri Albin Kurti.

Në takim ishin të pranishëm edhe Nënkryetarja e Dytë, Mrika Limani Myrtaj, Sekretari Organizativ, Alim Rama dhe Sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Hajrulla Çeku. Ndërsa, Nimanbegu ishte i shoqëruar nga Ardian Mavriqi, Sekretar i Përgjithshëm – aktualisht Kryetar i Kuvendit të Komunës së Ulqinit dhe Nënkryetarët e Partisë: Ilir Çapuni dhe Arbin Çapriqi.

LVV-ja ka njoftuar se në takim është thënë se kjo kishë ka tensionuar raportet etnike në Malin e Zi.

“Përgjatë takimit Kryeministri Kurti njoftoi përfaqësuesit e partisë shqiptare nga Mali i Zi për situatën politike dhe ekonomike në vend. Në kuadër të diskutimit u theksuan edhe marrëdhëniet e Republikës së Kosovës me Malin e Zi me ç’rast u përmend edhe ndërtimi i rrugëve Pejë-Rozhajë dhe Deçan-Plavë çka do të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve dhe forcojë lidhjen ekonomike dhe tregtare”.

“Në anën tjetër, përfaqësuesit nga Mali i Zi njoftuan me situatën politike atje me theks të veçantë ndërhyrjen e Kishës Ortodokse Serbe në jetën politike e institucionale çka ka tensionuar edhe më shumë raportet etnike dhe ndërhyrjet e Serbisë në shtetin e Malit të Zi”, thuhet në njoftimin për media.

Në fund thuhet se pjesë e diskutimeve ishte edhe bashkëpunimi në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore në mes të dy vendeve.

Go to TOP