Nisën kalkulimet për zgjedhje presidenciale, do të ketë kandidatë edhe nga blloku shqiptar

Katër muaj para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale tashmë kanë filluar kalkulimet për kandidatet për president të shtetit. Tani për tani partitë nuk bëjnë të ditur se kush janë favoritët e tyre duke thënë se ende po zgjat procesi në organet partiake.

Nga LSDM publikuan shpallje për vetëkandidim, por sipas informacioneve të partisë, nga organizatat komunale kanë dërguar lista me rreth 15 kandidatë të politikanëve aktualë dhe ish politikanëve. Në lojë është edhe presidenti aktual Stevo Pendarovski, kryetari aktual i partisë dhe kryeministër, Dimitar Kovaçevski, sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Mile Zeçeviq, ministri i brendshëm, Oliver Spasovski dhe ministrja e mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, pastaj Radmilla Sheqerinska, Zoran Zaev, Venko Filipçe, Branko Cërvenkovski, Gjorgji Spasov dhe të tjerë.

Nga opozitarja OBRM-PDUKM thonë se ende nuk kanë favoritë dhe se kandidatët së pari duhet t’i kalojnë procedurat brenda partisë. Dje Mickoski tha se ende ka kohë, se ende po bëjnë analiza dhe se në gjysmën e dytë të shkurtit do të bëjnë të ditur se kush do të jetë kandidati të cilin do ta përkrahë OBRM-PDUKM. Përndryshe, jozyrtarisht, favoritë janë kandidatja e mëparshme, profesoresha Gordana Siljanovska Davkova dhe profesori Aleksandar Spasenovski.

Edhe në bllokun shqiptar po bëhen përgatitje. Lidhja europiane për ndryshim filloi bisedime me kandidatët ndërsa kandidat më serioz është Rufi Osmani edhe pse vetë ai e hedh poshtë mundësinë që të hyjë në garën për president. Përflitet edhe emri i Arben Taravarit, megjithatë ai thotë se nuk është i interesuar që të jetë kandidat.

Nga BDI, për momentin nuk ka informacione nëse do të dalin me kandidat të vet ose do ta përkrahin kandidatin e LSDM-së.

Go to TOP