Nis ndërtimi i stadiumit në Suharekë

Në Suharekë kanë nisur punimet për ndërtimin e stadiumit të ri të qytetit, i cili do të ketë mbi 6 mijë ulëse dhe vlerë investimi rreth 11 milionë euro. Stadiumi do të ndërtohet sipas standardeve të UEFA-s, me kategorinë D, dhe pritet të përfundojë brenda 750 ditësh.

Në ceremoninë e vënies së gurthemelit morën pjesë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, si dhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj.

“Ky stadium është një lajm i jashtëzakonshëm për Suharekën dhe për sportin e Kosovës. Me këtë investim prej 11 milionë eurosh po shlyejmë një pjesë të borxhit ndaj një ekipi të jashtëzakonshëm si Ballkani, që frymëzon të rinjtë të merren me sport”, tha Kurti.

Nga ana e tij, ministri Çeku theksoi se ky projekt është pjesë e një programi më të madh të Qeverisë për përmirësimin e infrastrukturës sportive në vend. “Jemi duke investuar në shumë qytete të Kosovës. Jam shumë i lumtur që Suharekës po ia nisim këtë investim shumë të rëndësishëm bashkë me fushën ndihmëse që është drejt përfundimit”, tha ai.

Edhe kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, u shpreh i kënaqur për nisjen e punimeve duke theksuar se qyteti e meriton një infrastrukturë sportive moderne.

Stadiumi i ri pritet të shërbejë si arenë për skuadrën kampione Ballkani, ekipin e Suharekës, si dhe klube të tjera të komunës. /Kosova.info/


Go to TOP