Nis modernizimi i rrjetit termik në Ulpianë – çerdhja “Fatosat” përgatitet për sezonin e ngrohjes

Në kuadër të planit aksional për përgatitjet e sezonit të ardhshëm të ngrohjes, Termokos ka nisur punimet për modernizimin e rrjetit termik në lagjen Ulpianë duke u fokusuar te furnizimi i çerdhes Fatosat”.

Kryeshefi Fisnik Osmani njoftoi se po realizohen intervenimet e nevojshme në rrjetin gypor që furnizon këtë institucion parashkollor, me qëllim të përmirësimit të cilësisë dhe sigurisë së shërbimit të ngrohjes. Ai falënderoi ekipet profesionale të ngrohtores për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar në zbatimin e planit aksional.

“Termokos, po i jep kuptim Prishtinës së Gjelbër!” – u shpreh Osmani, duke theksuar rëndësinë e investimeve në infrastrukturë të qëndrueshme energjetike për një kryeqytet më të gjelbër dhe efikas.

Projekti mbështetet nga Komuna e Prishtinës dhe kryetari Përparim Rama, si pjesë e angazhimeve për përmirësimin e shërbimeve bazike në çdo cep të qytetit. /Kosova.info/


Go to TOP