Ngrihet aktakuzë kundër burrit që vrau gruan e tij në Pejë

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj Edmond Lajqit, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Gjyljeta Ukellës.

Sipas aktakuzës, më 16 prill 2024, rreth orës 08:00 të mëngjesit, në banesën e tij në Pejë, i pandehuri E.L. ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, Gj.U., duke shtënë me armë zjarri. Konfliktet e vazhdueshme ndërmjet të pandehurit dhe viktimës, të shoqëruara me dhunë psikologjike dhe fizike, kishin kulmuar në ditën kritike, kur E.L. e qëlloi një herë në pjesën ballore të kokës, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas kryerjes së veprës, i pandehuri u largua nga vendi i ngjarjes dhe u paraqit në Stacionin Policor të Pejës, ku i njoftoi zyrtarët policorë me fjalët: “E vrava gruan, dërgoni një patrullë të Policisë.”

I pandehuri akuzohet gjithashtu për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve,” sipas nenit 366, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Prokuroria bën të ditur se hetimet për këtë rast penal janë zhvilluar intensivisht dhe brenda një afati optimal.

Me ngritjen e aktakuzës, Prokurori i Shtetit ka propozuar që gjykata ta shpallë të pandehurin fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprat penale që i atribuohen atij.

Go to TOP