“Ngatërruam rrugën”, lirohen 4 çekët që u kapën në uzinën e armëve në Poliçan

BERAT-Lirohen 4 shtetasit çekë që u kapën dje në uzinën ushtarake të Poliçanit. Ata kanë pretenduar se janë turistë. Në dëshminë e tyre kanë pretenduar se kishin ngatërruar rrugën dhe për pasojë kishin përfunduar në një prej tuneleve që të çon në uzinë.

Shoqërimi i tyre u bë pak orë pas alarmit që shkaktoi incidenti në Uzinën e  Gramshit.

Si i ndaloi policia çekët

Pas ngjarjes në Gramsh efektivë të policisë ushtarake kanë shtuar kontrollet pranë bazave ushtarake. Gjatë kontrolleve ata pikasën pranë tuneleve të Poliçanit dy gratë çeke, duke bërë foto. Ato u thanë policëve se ishin të shoqëruara nga partnerët e tyre. Këto të fundit kishin hyrë në tunel  për të fotografuar.

Bëhet fjalë për dy burra dhe dy gra, të moshës nga 34 vjeç deri në 51 vjeç. Pas shoqërimit nga policia, çekët thanë se ata kanë ardhur si turistë në Shqipëri dhe se nuk e dinin që ndodheshin në një bazë ushtarake.

Prokuroria do të vijojë hetimet në gjendje të lirë për këta shtetas.

Go to TOP