Nga Qeveria Kurti të heshtur karshi kërkesave dhe paralajmërimeve për protesta, nuk pranojnë as takime

Përderisa kryeministri i vendit, Albin Kurti deklarohet për rritjen ekonomike dhe zhvillimet në kuadër të drejtimit të Qeverisë nga ana e tij, situata nuk është aspak e mirë me punëtorë të shumtë institucioneve e ndërmarrjeve të ndryshme në vend.

Madje një paralajmërim për grevë të mundshme pati edhe nga Sindikata e Bashkuara e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës.

Lidhur me këtë situatë të krijuar, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari ka deklaruar se përpos shkresave zyrtare që kanë në drejtim të kryeministrit Albin Kurti si dhe ministrit të Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, tash kërkesat janë edhe publike përmes takimeve dhe diskutimeve që po ngriten si çështje në takimet që kanë me punëtorët e arsimit.

Jashari theksoi se problemin kryesor tani përfaqësuesit e arsimit në Kosovë e kanë me informacionet se prite të bëhet ndryshimi i ligjit për pagat, por që këta të fundit duan që të pranohet ndryshimi i koeficientit që më parë kishin propozuar.

“Kemi bërë publike se nëse në këto takime mungon dialogu, atëherë kemi frikën se tensionet do të shtohen dhe në mbledhjen e Këshillit Drejtues që duhet mbajtur në dhjetor më së largu, mund të ketë edhe kërkesa nga ky Këshill që është organi më i lartë ku bëjnë pjesë edhe çerdhet, edhe arsimi parauniversitar dhe universitar mund të ketë si reagim i kësaj heshtje mund të ketë edhe kërkesa për veprime sindikale që unë si Kryetar, por edhe stafi qendror është i obliguar ti respektojë dhe të veprojë sipas tyre.Arsyeja e gjithë kësaj është se ne jemi të shqetësuar sepse anash flitet se po punohet në ligjin e pagave, për të cilin dihet se SBASHK-u kishte bërë grevë tri javorë për të arritur që ti ndryshojë sado pak koeficientet e arsimit, e që kemi informacione se ky ligj është duke u punuar sepse atë e ktheu apo zhvlerësoi Kushtetuesja dhe insistimit jonë ka qenë që ligji të përmirësohet, por të bëhet gjatë kohës kur Sindikata të bëjë ndonjë grup të përbashkët”, tha Jashari.

Ai madje theksoi se deri tani SBASHK-u dhe sindikatat e tjera nuk beson se e kanë parë se çfarë po punohet në këtë ligj dhe konsideron se nuk është mirë që jashtë konsultimit me sindikata të punohet në një ligj i tillë e të dërgohet në Kuvend për tu votuar.

“Një çështje tjera që na mundon ndër vite neve dhe sindikatave të tjera është edhe çështja e sigurimeve shëndetësore.Ndonëse edhe në sektorin e arsimit, në polici dhe në të tjerat kanë shumë telashe pasi njeriu ka të drejtë të sëmuret vetëm 20 ditë në vit kalendarik dhe aq më tepër kur shërimi i tij bëhet nga vetë individi sesa nga institucioneve, ngase ata nuk kanë buxhet të mjaftueshëm për këtë ligj.Mungon pra ky ligj që do të grumbullonte mjete edhe nga palët përkatëse edhe nga vetë shteti.Një çështje tjetër është se ministri Murati na ka mbetur borxh së paku 100 euro nga ajo mbështetje që e kishim nga Qeveria e kaluar për punëtorët e arsimit për shkak të kushteve tejet të vështira që punonin në atë kohë pasi ishin tepër të rrezikuar nga pandemia kishin një numër të madh të të prekurve dhe poashtu natyra e punës kishte bërë që volumi i punës të shtohej dukshëm”, tha ai.

Sipas Jasharit ka edhe çështje të tjera, por këto takime po mungojnë dhe kur mungojnë takimet dhe hapësira për dialog “kemi frikë se duke kaluar ditët do të shtohen kërkesat e presionet dhe arsimi mund të gjendet përballë këtyre kërkesave që të shkohet në veprime sindikale që askush nuk i dëshiron”.

Ky i fundit theksoi njëashtu se të gjitha mundësitë janë të hapura, edhe ajo e grevës por nuk mund të deklarohet pasi i vetmi organ që vendos për këtë është Këshilli Drejtues.

“Në pjesën e parë të dhjetorit ka takime dhe do të vendoset.E mësimdhënësit kërkesën e parë e kanë të dinë se çfarë po ndodhë me ligjin e pagave, e ne nuk kemi ndonjë informacion zyrtar”, tha ai.

E një problem të ngjashëm ku nga Qeveria nuk morën asnjë përgjigje për takim të mundshëm e kanë edhe mbi 1 mijë ish-punëtorë të ndërmarrjes së Feronikelit.

Këta të fundit thonë se askush nga Qeveria e Kosovës nuk ka pranuar të takohet me ta për të trajtuar çështjen e mbetjes pa punë të të gjithë këtyre ish-punëtorëve.

Poashtu Fehmi Nika nga Sindikata e Punëtorëve të Feronikelit deklaroi se Qeverisë i janë drejtuar me kërkesë për takim, për bisedime në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për problemin e punëtorëve.

“Por ne nuk kemi pasur përgjigje nga Qeveria, nuk jemi takuar me askënd kështu që ka mbetur çështja në duart e Qeverisë sepse ne nuk kemi tjetër zgjidhje përpos me iu drejtu Qeverisë.

Të gjithë punëtorët e Feronikelit kanë mbetur pa punë, edhe kontraktorët gjithashtu.Janë diku 1 mijë e 400 punëtorë të gjithë që kanë mbetur të papunë”, tha ai.
Nika gjithashtu theksoi se sa i përket atyre si sindikat, nuk janë takuar me asnjë përfaqësues të institucioneve qeveritare.

“Nuk na e janë përgjigjur në tri katër kërkesa që i kemi bërë.Ne si Sindikatë do t’i marrim të gjitha masat konfort ligjeve në Kosovë dhe tjetër gjë nuk di çka do të bëhet”, shtoi ai.

Duhet përkujtuar që gjatë ditëve të fundit pati vazhdimisht protesta në shenjë pakënaqësie me çështjet që prekin punët të cilat bëjnë qytetarë e Kosovës.
Një protestë të ngjashme zhvilluan të hënën e kaluar edhe punëtorët e Lotarisë së Kosovës.

60 punëtorët e lotarisë kanë protestuar duke kërkuar ndryshimin e ligjit për marrjen e pagave.

Të njëjtit kërkuan ndryshimin e Ligjit për Lotarinë e Kosovës dhe marrjen e pagave.

Këta të fundit poashtu kërkuan që të kthehen në punë, meqë tash e sa kohë janë të papunë.

Kryetari i Sindikatës së Lotarisë, Shkumbin Goçi i cili tregoi për arsyen e protestës, theksoi edhe se kanë kërkuar takime me përfaqësuesit e institucioneve shtetërore por që kjo kërkesë nuk është marrë parasysh.

Ai ka shtuar se nuk do t’i ndalin protestat derisa kërkesat e tyre të gjejnë zbatim.

Lidhur me gjithë këto kërkesa dhe pakënaqësi të ndërmarrjeve të ndryshme nga Qeveria e Kosovës nuk ka pasur as edhe një deklarim, pavarësisht se thirrjet për takim kanë qenë të hapura dhe të vazhdueshme.

Go to TOP