Nesër Shkëndija – Shelbourne, Beqiri kërkon fitore
Shkëndija e Tetovës nesër në Shkup do të zhvillojë ndeshjen e saj të parë si vendase në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, ku do të përballet me Shelbourne FC.
Para kësaj sfide të rëndësishme, trajneri i skuadrës kuqezi, Jeton Beqiri, ka folur për mediat.
Ai është shprehur optimist se të besuarit e tij, do të japin më të mirën në duel me Shelbourne FC.
Beqiri beson se Shkëndija do të ketë përkrahjen e madhe të tifozëve në ballafaqim me skuadrën irlandeze.
“Është shumë e rëndësishme që në këtë ndeshje të parë para tifozëve tanë të jemi seriozë dhe të paraqitemi në nivel të lartë. Kemi pasur mjaftueshëm kohë për përgatitje dhe besoj se me ndihmën e publikut dhe atmosferës që do të krijohet në Shkup, do të bëjmë një paraqitje të mirë, ashtu si në fazën e eliminimeve,” tha Beqiri.
Trajneri tetovar theksoi se Shkëndija ka studiuar mirë kundërshtarin irlandez, por besimi i tij mbetet te cilësia e futbollistëve që ka në dispozicion.
“Kemi të bëjmë me një kundërshtar që e njohim dhe e kemi analizuar. Ata luajnë ndryshe nga ne, por kemi besim në kualitetin tonë dhe në karakterin e skuadrës. Shpresoj që në fund të ndeshjes të dalim me tri pikë”, theksoi Beiqri.
Shkëndija – Shelbourne do të luhet të enjten në Arenën “Todor Proeski”.
