Nesër fillon asfaltimi i rrugës “Enver Maloku” – segmenti pranë shkollës “Ismail Qemajli” do të mbyllet për qarkullim

Drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli, ka njoftuar se nesër në mëngjes do të nisë procesi i asfaltimit (rishtresimit) të rrugës “Enver Maloku”.

Për shkak të punimeve, segmenti i kësaj rruge që kalon pranë shkollës fillore “Ismail Qemajli” do të jetë i mbyllur për qarkullim deri në përfundimin e asfaltimit.

Autoritetet komunale u bëjnë thirrje qytetarëve që të ndjekin udhëzimet në terren dhe të përdorin rrugët alternative të qarkullimit, për të shmangur pengesat dhe për të garantuar sigurinë gjatë punimeve.

Ky projekt është pjesë e investimeve kapitale për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në qytet, në kuadër të programit komunal për mirëmbajtjen dhe modernizimin e rrugëve. /Kosova.info/

Go to TOP