Nënshkruhet Marrëveshja për Eliminimin e Tatimit të Dyfishtë mes Kosovës dhe Irlandës

E ngarkuara me punë në Ambasadën e Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar znj. Arrita Gjakova dhe ambasadori i Irlandës në Mbretërinë e Bashkuar z. Adrian O’Neill, kanë nënshkruar sot në Londër Marrëveshjen për Eliminim të Tatimit të Dyfishtë sa i përket Tatimit në të Ardhura dhe Parandalimin e Evazionit dhe Shmangies Fiskale mes Republikës së Kosovës dhe Irlandës.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje shënon një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve ekonomike e tregtare mes të dyja shteteve dhe bashkëpunimit në çështjet tatimore. Me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje do të mundësohet aplikim më i drejtë dhe thjeshtëzuar i tatimeve për shtetasit e Kosovës që jetojnë në Irlandë dhe anasjelltas.

Po ashtu, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje paraqet një hap të rëndësishëm në zbatim të kërkesave që dalin nga Marrëveshja për Stabilizim-Asociim me BE-në, duke përafruar Kosovën në të ardhmen e saj evropiane. /Kosova.info/

Go to TOP