Në Vushtrri u mbajt konferenca shkencore për krimet serbe

Në Vushtrri u mbajt konferenca shkencore me temën “Krimet e forcave serbe në Komunën e Vushtrrisë dhe rezistenca e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës 1998-1999”. Konferenca u organizua në prag të 17 Qershorit, Ditës së Çlirimit të Vushtrrisë, me qëllim që të rikujtohet sakrifica e dëshmorëve dhe të përcillet e vërteta historike te brezat e rinj.

Kujtimet e luftës, sakrifica e dëshmorëve dhe krimet e kryera gjatë viteve 1998-1999, u rikthyen në vëmendje një ditë para shënimit të 17 Qershorit, Ditës së Çlirimit të Vushtrrisë.

Masakrat që prekën Vushtrrinë gjatë luftës, duke kujtuar dhjetëra civilë të vrarë e të persekutuar në Studime, Reznik, Duboc, Galicë dhe në zona të tjera të komunës.

Në këtë qytet, me anë të kësaj konferencë shkencore me titull “Krimet e forcave serbe në Komunën e Vushtrrisë dhe rezistenca e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, historianë, studiues dhe përfaqësues institucionalë diskutuan për ngjarjet që shënuan një nga periudhat më të rënda të historisë së kësaj komune.

“Kemi paguar një çmim shumë të lartë për këtë liri, me shumë masakra: masakrën e Studimes, masakrën e familjes së Selatin Gërxhaliut, masakrën e Reznikut ndaj familjes Ujkani, masakrën e Beqiqit, masakrën e Dubocit, masakrën e Galicës, si dhe me shumë të vrarë, të masakruar dhe të persekutuar”, tha kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi.

Ndërkohë, shefi i Departamentit të Historisë në Universitetin e Prishtinës, Mentor Hasani, e vendosi rezistencën e Vushtrrisë në një kontekst më të gjerë historik, duke kujtuar figurat që, sipas tij, frymëzuan breza të tërë shqiptarësh në përpjekjet për liri.

“Në vitet ’20, ku Vushtrria e karakterizon gjithë hapësirën shqiptare  me tre personalitete të shquara: Hasan Prishtinën, Azem Bejt Galicën dhe Mehmet Konjuhin, çka i mungon vendit tonë, institutit dhe hapësirës sonë akademike, shkencore e politike, është çështja kritike e historiografisë që këto ngjarje dhe tematika t’i studiojë në mënyrë të thelluar e profesionale, duke u mbështetur në perspektiva dhe burime të ndryshme”, pohoi ai.

Ai tha se ngjarjet e luftës vazhdojnë të kërkojnë më shumë hulumtim dhe dokumentim shkencor, ndërsa vlerësoi se diskutime të tilla ndihmojnë në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe në ndriçimin e fakteve historike.

Sipas të dhënave të paraqitura në konferencë, Vushtrria ishte ndër komunat që pagoi çmim të lartë gjatë luftës, me qindra të vrarë, dëshmorë dhe persona të zhdukur. Në këtë konferencë u bë thirrje që dëshmitë, dokumentet dhe përjetimet e luftës të vazhdojnë të studiohen e të dokumentohen, në mënyrë që historia të ruhet dhe të përcillet brez pas brezi.

Go to TOP