Në Tiranë mbahet marsh solidarizues për Ukrainën

Dhjetëra qytetarë iu bashkuan një marshi solidarizues për Ukrainën në qendër të Tiranës të premten, për të shprehur indinjatën ndaj krimeve të agresionit rus të dokumentuar ditëve të fundit nëpër disa qytete ukrainase.

Marshuesve, të udhëhequr nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Velijaj, dhe ambasadori i Ukrainës në Tiranë, iu bashkua edhe ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, dhe disa ambasadorë të tjerë të vendeve evropiane, të cilët shprehën përkrahjen e tyre duke valëvitur flamurin ukrainas. Pjesëmarrës në marsh ishin edhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe qytetarë të rëndomtë, të cilët marshuan deri pranë Ambasadës ruse në Tiranë.

Që nga fillimi i sulmit rus ndaj Ukrainës më 24 shkurt, Shqipëria është rreshtuar përkrahë Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të NATO-s në ndërmarrjen e një sërë veprimesh për ta dënuar Rusinë, përfshirë sanksionet ekonomike. Në planin e brendshëm, autoritetet shqiptare kanë provuar ta menaxhojnë rritjen e kostos së energjisë elektrike dhe shportës së produkteve esenciale duke marrë masa për t’i ndihmuar bizneset dhe shtresat e cenueshme të shoqërisë.

Çmimet që kanë shënuar rritje rekorde që nga viti i kaluar në Shqipëri kanë nxitur protesta të shpeshta në vend me protestues që akuzojnë Qeverinë për jetën e papërballueshme në vend.

Shqipëria përpos një shkalle të konsiderueshme të varfërisë – rreth një e treta e popullatës konsiderohet se jeton me më pak se 5 dollarë në ditë – ka pësuar tkurrje të rritjes ekonomike prej 4.5 për qind gjatë pandemisë COVID-19 dhe sikur i tërë Ballkani Perëndimor ende po ballafaqohet me probleme të rikuperimit ekonomik.

Go to TOP