Në Shqipëri propozohet që toka e papunuar t’i jepet shtetit për shfrytëzim

Njohësi i çështjeve të bujqësisë, Alban Zusi, deklaroi se qytetarët në Shqipëri që nuk e punojnë tokën për të përfituar nga ajo, atëherë duhet t’ia dorëzojnë shtetit.

Ai në një intervistë për “Euronews” tha të enjten se toka e papunuar nuk duhet të mbetet peng për 30 vjet, por të përdoret nga shteti.

“Në momentin që tokën nuk e ke më mjet jetesë, duhet ta dorëzosh. Është krejtësisht e ligjshme që për sa kohë toka nuk të shërben si instrument për të jetuar, duhet ta lësh atë tokë dhe duhet ta marrë publiku për ta përdorur. Nuk mund të qëndrojë 30 vjet peng, një pasuri e riciklueshme siç është toka”, u shpreh Zusi.

Propozimi i tij nxiti reagime të mëdha në publik dhe videoja u bë shpejt virale.

Zusi shtoi se një pjesë e tokave posedohen nga njerëz që ndodhen në emigracion dhe që nuk kanë ndërmend të rikthehen.

“Është konsoliduar një mendim, që ka një problem të madh dhe të gjithë flasin me mënyrën se si është ndarë toka. Bujqësia ka shumë probleme por ky është një ndër to. Për shkak se tokën e posedojnë njerëz të cilët kanë ikur në emigracion dhe nuk kanë ndërmend të kthehen, ato e kanë mbajtur fort për ta kthyer në burim pasurie”, deklaroi ai.

Go to TOP