Në një ndeshje me probleme, Bashkimi krijon epërsi ndaj Pejës

Në një ndeshje tejet të tensionuar, veçanërisht në momentet e fundit, ku më shumë janë parë policë në fushë se sa lojtarë, për shkak të sulmit ndaj një basketbollisti mysafir, Bashkimi ka arritur ta mposhtë Pejën pas vazhdimeve me rezultat 84:78 (17:17, 12:17, 23:16, 17:19, 15:9) në gjysmëfinalen e tretë të “Play-off” të Superligës së Kosovës në basketboll.

Me këtë fitore, “Portokallezinjtë” tani udhëheqin 2:1 në seri, ndërsa skuadra që arrin tri fitore kualifikohet në finalen e madhe.

Drama ishte e madhe në dhjetëminutëshin e fundit. Prizrenasit kishin krijuar epërsi prej shtatë pikësh dy minuta para fundit, mirëpo Peja nuk është dorëzuar dhe ka arritur t’i barazojë shifrat në 69:69, pas një treshe të shënuar nga Marques Towns. Aksioni i fundit i vendasve nuk ka rezultuar me pikë, duke çuar ndeshjen në vazhdime.

Në vazhdime, Bashkimi ka treguar më shumë qetësi dhe vendosmëri, duke mos lejuar përmbysje dhe duke siguruar fitoren vendimtare 84:78.

Te Bashkimi kanë shkëlqyer Lejson Zeqiri me 27 pikë dhe tri kërcime, Jayveous McKinnis me 12 pikë dhe nëntë kërcime, si dhe Wendell Green me 19 pikë.

Në anën tjetër, për Pejën janë dalluar Marques Towns me 27 pikë dhe gjashtë kërcime, si dhe Darryl Morsell me 13 pikë e gjashtë kërcime.


Go to TOP