Në Korishë të Prizrenit përkujtohen dëshmorët e Kabashit
U bënë 26 vjet nga rezistenca e djemve të Kabashit të Prizrenit për ta mbrojtur vendin ndaj okupatorëve serbë. Më 17 mars të viti 1999, në bjeshkët e Kabashit, u përjetësuan në pavdekësi.
Familjarë, veteranë të luftës dhe përfaqësues të institucioneve, kanë kujtuar dëshmorët që kanë rënë në betejën e Korishës. Me 17 mars të vitit 1999, në Kabash të Prizrenit u zhvilluan luftime të ashpra mes të luftëtarëve të UÇK-së dhe forcave serbe, të cilat në atë kohë ia mësynë Korishës.
“Një luftë shumë e pabarabartë ka qenë, ka pasur mbi 150 tanke, praga dhe automjete të ndryshme, për nga numri mbi 2 apo 3 mijë serbë kanë qenë, megjithatë kemi bërë rezistencë heroike. Është vrarë vëllai im Murat Kabashi, Halim Ahmetaj dhe Rexhap Ahmetaj, prej anës serbe ka pasur humbje të mëdha”, tha Haki Kabashi, veteran, vëlla i dëshmorit.
“Themelet e shtetit tonë, që sot po e gëzojmë, janë edhe si vlerë e asaj që ata kanë dhënë jetën, dhe ne duhet ta vlerësojmë ashtu siç duhet, sepse pa gjakun e tyre nuk do të kishte liri”, tha Xhafer Ahmetaj, familjar i dëshmorit.
Në emër të organizatave të dala nga lufta, Sefer Rexha tha se kjo zonë në të gjitha periudhat shquhet për patriotizëm dhe atdhedashuri.
“E them me plot krenari se kemi trashigu një kulturë të atdhetarizmit dhe dashnisë për të luftuar dhe rezistuar deri në fund, për çlirimin e Kosovës. Vyrtyti i heroit Sali Shabani gjithmonë ka qëndruar në mendjet tona, që mos të ja kthejmë shpinën atdheut”, tha ai.
” Beteja e Kabashit, është trashëgimi e përpjekjeve të vazhdueshme të shumë gjeneratave, të shumë banorëve, patriotëve të kësaj zone, të cilët edhe në periudha të ndryshme, janë flijuar për të mbrojtur shtëpinë, familjen”, tha Kujtim Gashi, nënkryetar i Komunës së Prizrenit.
Vetëm Korisha, luftës së fundit për liri ia dha Kosovës gjashtë dëshmorë.
