Në Hagë nis dëshminë diplomati austriak

Diplomati austriak, Jan Kickert, që kishte shërbyer në Beograd gjatë viteve 1997-1999, ka nisur dëshminë në Gjykatën Speciale në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Diplomati austriak, Jan Kickert, atë kohë kishte shërbyer si sekretar në Ambasadën e Austrisë në Beograd.

Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurori John Capin, ky dëshmitar gjatë vitit 1997 deri në vitin 1999 ka punuar si diplomat austriak në Kosovë dhe se është takuar me krerë të UÇK-së duke përfshirë katër të akuzuarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nga fundi i vitit 1997 deri në mars të vitit 1999, Jan Kickert ka punuar në Beograd si diplomat austriak. Në fillim të vitit 1998 ka udhëtuar në Kosovë i ngarkuar për t’u takuar me udhëheqësit e partive, ndërkombëtarë dhe anëtarëve të tjerë. Vizitat e Kickert në Kosovë janë bërë më të shpeshta në pjesën e dytë të vitit 1998 pasi ai ishte udhëzuar të krijojë një pikë kontakti me udhëheqjen e UÇK-së për t’i angazhuar ata në procesin politik. Për të arritur këtë qëllim, ai ka marrë pjesë në disa takime me anëtarë të Shtabit të Përgjithshme; përfshirë Hashim Thacin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin”, ka theksuar prokurori Capin.

Capin ka deklaruar se dëshmitari ka marrë pjesë në një takim për të diskutuar lidhur me lirimin e disa ushtarëve serbë.

“Në korrik të vitit 1998, Kickert u takua me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe pastaj ndaras me Jakup Krasniqin. Më 1999, Kickert mori pjesë në takim për të negociuar lirimin e ushtarëve serbë. Kickert ishte vëzhgues gjatë negocitave gjatë dhe pas Konferencës së Paqes në Rambuje, duke ndërvepruar me udhëheqjen UÇK-së, duke përfshirë edhe Hashim Thaçin. Në mars të vitit 1999, Kickert mori pjesë në një takim për të diskutuar marrëveshjen e Rambujesë me udhëheqësit e UÇK-së duke përfshirë Rexhep Selimin, Jakup Krasniqit”, ka theksuar ai.

Më 1999, u tha se ishte këshilltar politik i UNMIK-ut.

Dëshmitari ka pohuar se ka dhënë dëshmi edhe në rastin e Fatmir Limajt. Si rrjedhojë e seancës, në prova materiale u pranuan dy dëshmitë e dëshmitarit të dhëna më herët pranë autoriteteve të drejtësisë së bashku me materialet përcjellëse.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë rreth tetë orë e gjysmë e që një prej tyre është parashikuar për pyetjet e ZPS-së ndërsa shtatë e gjysmë për kundërpyetjet e mbrojtjes.

Aktualisht Kickert shërben si ambasador austriak në Romë. Në periudhën 1998-1999 ishte dërguar si asistent special i Bashkimit Evropian në Kosovë e nga viti 1999 deri më 2000 ishte këshilltar politik i Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Go to TOP