Në Drenas mbahen aktivitete për luftën kundër kancerit të gjirit
Me qëllim të sensibilizimit dhe vetëdijesimit të qytetarëve për luftën kundër kancerit të gjirit, në Komunën e Drenasit është shënuar muaji ndërkombëtar i luftës kundër kësaj sëmundjeje me disa aktivitete.
Komuna e Drenasit njofton se aktiviteti ka filluar në sallën e Kuvendit, ku takimin e hapi koordinatorja e njësisë për të drejtat e njeriut në Zyrën për Barazi Gjinore, Zahrie Podrimqaku-Subashi.
Sipas njoftimit Podrimqaku-Subashi ka thënë se, në kuadër të shënimit të muajit rozë, që ka për qëllim sensibilizimin dhe parandalimin e kancerit të gjirit, janë mbajtur disa aktivitete nga Komuna e Drenasit.
Kurse Dr. Shkëlzen Gashi ka mbajtur një ligjëratë për të pranishmit, me temën “Kanceri i gjirit dhe parandalimi i tij”.
Pas takimit në sallën e Kuvendit, në nder të shënimit të këtij muaji, u zhvillua ecja tradicionale me moton “Një hap kundër kancerit të gjirit” në qytet.
Ky aktivitet u organizua nga KNJKDNJ dhe ZBGJ në bashkëpunim me Grupin e Grave Asambliste, Komitetin për Barazi Gjinore dhe OJQ-të e Drenasit.
Ky manifestim tradicional synon vetëdijesimin e shoqërisë për rrezikun nga kanceri i gjirit dhe nxitjen e institucioneve përgjegjëse për të krijuar kushte më të mira për zbulimin e hershëm të sëmundjes, si dhe përmirësimin e kushteve të trajtimit në Kosovë. /Kosova.info/