Ndëshkohen dy shoferë në Ferizaj për shkelje të rënda të rregullave të trafikut
Policia e Kosovës në Ferizaj ka ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj dy shoferëve për shkelje të rënda të rregullave të trafikut.
“Më 28.08.2025, në rrugën magjistrale Ferizaj – Gjilan, në fshatin Sojevë, gjatë kontrollit të një kamioni të tipit Mercedes me targa vendore, është konstatuar se mungonte çertifikata e kontrollit teknik gjashtëmujor.Për këtë kundërvajtje, në bazë të Ligjit për Automjete nr. 05/L-132, ndaj personit juridik është shqiptuar gjobë prej 500 euro, ndërsa ndaj shoferit të kamionit V.V., 34 vjeç, është shqiptuar gjobë prej 130 euro”, thuhet në njoftim.
Në rastin tjetër vozitësi i një motoçiklete është dënuar për tejkalim të shpejtësisë së lejuar.
“Po ashtu, në rrugën magjistrale Ferizaj – Babush, policia ka ndaluar një motoçikletë të tipit Yamaha për tejkalim shpejtësie. Në zonën me kufizim të shpejtësisë 50 km/h, shoferi i motoçikletës R.J., 23 vjeç, po lëvizte me shpejtësi 94 km/h.Gjatë verifikimit të dokumentacionit, është konstatuar se ndaj tij ishte në fuqi masa mbrojtëse e pezullimit të patentë-shoferit nga data 31.05 deri më 30.08.2025.Për këtë shkelje, ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 500 euro, 5 pikë negative, si dhe pezullim i patentë-shoferit për 6 muaj”, thuhet në njoftim.
Policia Rajonale e Ferizajt ka paralajmëruar se do të vazhdojë me kontrolle të rregullta dhe aktivitete të intensifikuara, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion dhe respektimin e ligjit.
