Ndeshja Ulpiana-Vllaznia Pozheran e kurdisur, FFK merr masa

Federata e Futbollit e Kosovës ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj klubit të futbollit Ulpiana dhe klubit Vllaznia Pozheran komisioni i garave ka konstatuar se ndeshja mes tyre ka qenë e kurdisur. 

FFK ka njoftuar të enjten se është anuluar kjo ndeshje e Ligës së Parë të grupit B e zhvilluar në kuadër të javës së 21-të dhe e fituar me rezultat 3-4 nga Vllaznia. 

“Bazuar në deklaratën e personit zyrtar të FFK-së dhe xhirimit televiziv të ndeshjes, konform nenit 97 pika F, të 1 pika E, e Rregullores Disiplinore parashihet që ‘mosangazhimi në lojë’ (lëshimi i qëllimshëm i kundërshtarit të shënoj gol pa angazhim, angazhim inert, mos dëshirë për lojë, dëmtim i ekipit të tij me qëllim), komunikimi në mes të disa lojtarëve me SMS lidhur me zhvillimin dhe rezultatin e ndeshjes si dhe të dhënat nga raportet tjera konfidenciale”, ka theksuar FFK.

“Bazuar në deklaratat e personave zyrtarë të FFK-së, shikimi i xhirimeve televizive të ndeshjes, analizimi i raporteve konfidenciale për rastin, u konstatua se kemi të bëjmë me kurdisjen e rezultatit të ndeshjes, andaj konform nenit 81 të Rregullores së Garave, anulohet ndeshja sipas detyrës zyrtare dhe kjo ndeshje regjistrohet si ndeshje e luajtur, rezultati i kësaj ndeshje nuk regjistrohet, gjegjësisht pikët dhe golat nuk regjistrohen në tabelat e klasifikimi të Ligës së Parë Grupi B”.

FFK-ja ka theksuar se ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj të gjithë personave të përfshirë, përkatësisht ndaj klubit të futbollit “Ulpiana”, ndaj personit zyrtar të KF Ulpianës, Meriton Isufit, ndaj lojtarëve Ridon Llugiqi, Gentian Emini e Samet Rexhepit, dhe klubit të të futbollit “Vllaznia Pozheran” dhe ndaj personit zyrtar të KF Vllaznia Pozheran, Agron Pira. /Kosova.info/

Go to TOP