Ndalimi i naftës ruse do të jetë i dhimbshëm për vendet e BE-së, thotë kancelari austriak

Embargoja e vendosur nga Bashkimi Europian për naftën ruse do të jetë e dhimbshme për anëtarët e Unionit, si dhe për Moskën, sipas kancelarit austriak Karl Nehammer.

“Vendimi për të vendosur embargon e naftës është një masë që sigurisht do të jetë e dhimbshme në vetvete për vendet anëtare”, tha Nehammer pas mbërritjes në një takim të jashtëzakonshëm të Këshillit Evropian në Bruksel të martën.

“Por ju duhet të jeni realistë, dhimbja që po vuajmë nuk është asgjë në krahasim me atë që populli ukrainas duhet të durojë”, shtoi ai.

Udhëheqësit e vendeve anëtare të BE-së ranë dakord të hënën të ndalojnë shumicën e importeve të naftës ruse si pjesë e paketës së gjashtë të sanksioneve kundër Moskës.

Nehammer tha se embargoja e gazit nuk do të përfshihet në këtë paketë të re sanksionesh.

“Gazi sillet shumë ndryshe nga nafta për sa i përket sigurisë së furnizimit”.

Marrëveshja do të ndalojë 90% të importeve të naftës ruse deri në fund të vitit, shkruan CNN.

“Nafta ruse e dërguar me cisterna do të ndalohet, ndërsa do të bëhet një përjashtim për segmentin jugor të tubacionit Druzhba, i cili përbën 10% të importeve të naftës ruse” tha të hënën presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen pas një samiti në Brukseli.

Segmenti verior i gazsjellësit i shërben Polonisë dhe Gjermanisë, të cilat kanë rënë dakord për embargon. Pjesa jugore shkon në Hungari, Sllovaki dhe Republikën Çeke.

Go to TOP