Ndahet nga jeta Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë njoftoi për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos.
Ai u nda nga jeta në orën 07:30 të mëngjesit të sotëm në moshën 95-vjeçare, në spitalin “Evangelismos” të Athinës, pas përkeqësimit të shëndetit dhe dështimit të funksionimit të organeve jetësore, thuhet në njoftimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Kryepeshkopi Anastas, i lindur më 4 nëntor 1929 në Pire, Greqi, ishte figura qendrore e rindërtimit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë pas rënies së regjimit ateist.
Në njoftimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë thuhet se që nga emërimi i tij në vitin 1991 dhe zgjedhja si Kryepeshkop në vitin 1992, ai udhëhoqi me përkushtim, duke rindërtuar qindra kisha, krijuar institucione arsimore e bamirëse dhe formuar një brez të ri klerikësh.
