Naiviteti opozitar që po shndërrohet në mbështetje për Albin Kurtin
Shkruan: Emanuel Demaj
Diskursi aktual i opozitës ndaj Lëvizjes Vetëvendosje po karakterizohet nga një gjuhë e rëndë politike, e mbështetur kryesisht në etiketime dhe interpretime ideologjike, por me mungesë të theksuar të një projekti alternativ qeverisës.
Shkrime dhe deklarata që e portretizojnë LVV-në si strukturë të mbyllur, të centralizuar dhe të drejtuar nga një vullnet i vetëm, po përsëriten vazhdimisht, por efekti i tyre në opinionin publik po rezulton i kufizuar. Problemi kryesor nuk qëndron te kritika si e tillë, por te fakti se ajo nuk shoqërohet me vizion. Opozita po e kërkon pushtetin nga zyret, konferencat për media, studiot televizive dhe rrjetet sociale, duke anashkaluar ndërtimin e një narrative politike që do të ofronte zgjidhje konkrete për sfidat ekonomike, sociale dhe institucionale të vendit.
Në mungesë të kësaj, kritika mbetet abstrakte dhe nuk arrin të mobilizojë elektoratin e pavendosur. Në aspektin strategjik, kjo qasje po i shërben më shumë pushtetit sesa kundërshtarëve të tij. Sa më shumë që opozita fokusohet në delegjitimimin moral të kundërshtarit, pa ndërtuar legjitimitetin e vet politik, aq më e lehtë bëhet pozita e qeverisë aktuale.
Një pushtet ndihet i rrezikuar vetëm kur përballë ka një alternativë serioze, të organizuar dhe të besueshme. Aktualisht, kjo mungon. Për pasojë, sulmet e vazhdueshme ndaj Albin Kurtit dhe LVV-së po perceptohen gjithnjë e më shumë si shenjë e frustrimit opozitar, e jo si forcë politike.
Në vend se ta minojnë mbështetjen për pushtetin, ato shpesh krijojnë efektin e kundërt, duke e konsoliduar bazën e tij elektorale dhe duke e paraqitur opozitën si të paaftë për të ndërtuar një projekt qeverisës konkurrues.
Në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, panorama politike mbetet e qartë. Me një opozitë pa vizion të artikuluar, pa guxim për reforma të brendshme dhe pa strategji të mirëfilltë elektorale, pushteti aktual mbetet komod dhe pa frikë reale nga humbja e vendit të parë. Në këtë kontekst, dështimi opozitar nuk është vetëm problem i saj, por edhe një pengesë serioze për zhvillimin e demokracisë funksionale në vend./Kosova.info/
