Nagelsmann: Gjermania s`e ka luksin të gabojë
Trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, ka thënë se skuadra e tij nuk ka asnjë hapësirë për eksperimente në dy ndeshjet e fundit kualifikuese dhe se synimi është vetëm marrja e gjashtë pikëve për ta siguruar pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm.
Gjermania udhëton të premten në Luksemburg, ndërsa më 14 nëntor pret Sllovakinë. Me dy fitore, gjermanët e sigurojnë vendin e parë në Grupin A dhe biletën direkte për Botërorin.
“Nuk kemi luksin për një gabim tjetër”, ka thënë Nagelsmann duke kujtuar humbjen 2-0 ndaj Sllovakisë në shtator. “Kushtet fillestare janë përmirësuar, por duhet ta përfundojmë punën. Më e rëndësishmja është të fitojmë këto dy ndeshje, të marrim gjashtë pikë dhe të kualifikohemi”.
