Mushkolaj për qeverisjen e VV-së: Nuk po shoh asnjë ndryshim

Analisti dhe gazetari Imer Mushkolaj ka folur rreth punës së qeverisë Kurti, duke u shprehur se ndihet i zhgënjyer në mosrealizimin të premtimeve të bëra në disa prej fushave më të rëndësishme.

Mushkolaj për çështjen rreth telasheve të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë kësaj kohe të qeverisjes së tyre e ka komentuar si neglizhencë të realizimit të premtimeve të bëra në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe infrastrukturës.

Mushkolaj ka thënë se gjatë një të tretës së qeverisjes Kurti nuk ka parë asnjë realizim të premtimeve në fushat e lartpërmendura.

‘’Kanë kaluar gati 15 muaj të kësaj qeverisjeje të Kurtit, që i bie një e treta e këtij mandati dhe unë si qytetar nuk po shoh asnjë ndryshim apo realizim të disa drejtimeve të mëdha që i ka dhënë Lëvizja Vetëvendosje, përkundër punëve të përditshme të tyre që duhet të kryhen’’, tha Mushkolaj.

Ai numëroi disa nga premtimet e bëra të cilat nuk janë kryer ende dhe e cilëson si mjaft shqetësuese për qytetarët mosrealizimin e tyre.

‘’Psh nuk po shoh ndërtimin e 40 çerdheve publike në Kosovë, pra,  asnjë prej tyre nuk ka filluar edhe pse është bërë një e treta e kësaj qeverisje e të  mos flasim për fondin sovran, bankën zhvillimore, ngritjen e pagave minimale dhe ende nuk është vendosur përfundimisht ligji për pagat’’, tha analisti.

Mushkolaj e përmend edhe ministrin e shëndetësisë, Rifat Latifin duke thënë se edhe përkundër faktit që është një profesor dhe doktor i mirë nuk ka pasur ndryshime në shëndetësi gjatë menaxhimit të tij.

‘’Sa i përket çështjes së shëndetësisë, ministri Latifi mund të jetë doktor dhe profesor i mirë por për çështjet e mëdha të shëndetësisë nuk po shoh vizion të tij në zgjidhjen e problemeve’’, tha Mushkolaj.

Analisti flet edhe për çështjen e infrastrukturës duke thënë se nuk është bërë asnjë lëvizje sa i përket vazhdimit të punëve në rrugët e Kosovës.

Ndër të tjerash, ai thekson se është mjaft skeptik që në pjesën tjetër të mandatit mund të realizohen pjesa më e madhe e premtimeve, duke thënë se edhe pse Qeveria ka gjetur probleme prej qeverive të kaluara, këto arsyetime mund të bëhen për dy tre muaj jo një vit qeverisje.

Mushkolaj është shprehur se për qytetarët e Kosovës duke e cilësuar edhe veten në këtë rast është mjaft zhgënjyese mosrealizimi i premtimeve në probleme të cilat hasim gjatë jetës së përditshme.

Go to TOP