Murseli akuzon Hysenin për përjashtimin e Kuvendit nga planifikimi i buxhetit të Komunës së Gjilanit

Asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Gjilan, Gentrit Murseli, ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të Komunës, Alban Hyseni, duke e akuzuar për përjashtimin e Kuvendit të Komunës nga procesi i planifikimit të buxhetit për vitin 2025.

Në një deklaratë publike, Murseli tha se që nga 2 tetori 2024 kishte kërkuar që të organizohej një takim mes anëtarëve të Kuvendit dhe ekzekutivit për të planifikuar buxhetin bashkërisht, por kërkesa e tij ishte refuzuar nga kryetari Hyseni.

“Asambleja nuk është përfshirë fare në këtë proces. Më 8 nëntor 2024 kam dërguar një shkresë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) duke kërkuar opinionin e tyre. MAPL nuk i ka mohuar pretendimet e mia dhe ka kërkuar nga kryetari i Komunës veprime konkrete në miratimin e buxhetit,” tha Murseli.

Ai gjithashtu e quajti “propagandë të ulët” akuzën se opozita po bllokon 45 milionë euro investime. “Si mund të bllokojmë 45 milionë euro kur buxheti i Komunës është rreth 39 milionë euro, ndërsa mbi 50% e tij shkon për paga?,” shtoi ai.

Murseli bëri të ditur se buxheti i Komunës do të votohet nesër duke theksuar se LDK do të mbështesë vetëm projekte komunitare, pa interesa personale dhe pa pazare politike. /Kosova.info/


Go to TOP