Muric transferohet te Sassuolo, do të luajë në Serie A
Portieri i Kombëtares së Kosovës, Arijanet Muric, ka gjetur skuadrën e re gjatë këtij afati kalimtar, duke u transferuar në Itali.
Ai do të vazhdojë karrierën në Serie A te Sassuolo, në formë huazimi me të drejtë blerje nga Ipswich Town.
Zyrtarizimi është bërë nga vetë klubi italian.
“Arijanet Murić, mirë se erdhe në fanellën neroverde! U.S. Sassuolo Calcio njofton se ka marrë nga Ipswich Town, në formë huazimi me të drejtë blerjeje, shërbimet sportive të futbollistit Arijanet Murić (portier, 1998)”, ka shkruar Sassuolo.
I lindur në Schlieren të Zvicrës në vitin 1998, Muric e ka nisur karrierën e tij te të rinjtë e Zurich dhe Grasshoppers, përpara se t’i bashkohej Manchester City-t në vitin 2015. Debutimin në futbollin profesionist e kishte bërë më 18 gusht 2018 në Eredivisie me NAC Breda, përpara se të rikthehej te “Citizens” dhe të luante në Kupën e Ligës.
Gjatë karrierës ka luajtur për Girona, Willem II, Adana Demirspor dhe Nottingham Forest, ndërsa me Burnley fitoi Championship-in në sezonin 2022/23, duke regjistruar gjithsej pesëdhjetë e një paraqitje në kampionatet angleze dhe kupat kombëtare. Në sezonin e fundit, me Ipswich Town ka zhvilluar trembëdhjetë ndeshje në Premier League.
Në arenën ndërkombëtare, fillimisht e kishte përfaqësuar Malin e Zi U-21, ndërsa nga viti 2018 është portieri i parë i Kosovës, me mbi dyzet paraqitje për “Dardanët”.
