Murati: Rama kthen dhjeta miliona euro në fund të çdo viti, pastaj ankohet për mungesë buxheti
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka kritikuar ashpër kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, për menaxhimin e buxhetit të Komunës së Kryeqytetit.
Murati ka bërë publike të dhëna sipas të cilave Komuna e Prishtinës ka kthyer në suficit shuma të mëdha të pashpenzuara gjatë viteve të fundit. Sipas tij, në vitin 2022 janë mbetur të pashpenzuara 49 milionë euro, në vitin 2023 53 milionë euro, ndërsa në vitin 2024 34 milionë euro.
“Për vitin 2025, megjithëse ende nuk ka përfunduar, me shumë gjasë suficiti përsëri do ta kalojë 50 milionë euro,” ka theksuar Murati.
Ai ka ironizuar ankesat e kryetarit Rama për mungesë buxheti duke thënë se është “turp për një kryetar komune të kthejë 50 milionë euro të pashpenzuara, ndërkohë që qyteti përballet me probleme serioze si menaxhimi i mbeturinave, mungesa e çerdheve dhe infrastruktura e papërfunduar.”
Murati përfundon duke nënvizuar se këto të dhëna tregojnë qartë jo mungesë buxheti, por mungesë menaxhimi dhe vizioni në drejtimin e Kryeqytetit. /Kosova.info/
