Murati i reagon Ramës: Prishtinës ia dhamë 270 milionë për 2 vjet, çdo vit u teprojnë paratë
Ministri i Financave, Hekuran Murati, i ka reaguar Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Ramën, i cili sot e akuzoi Muratin se ua ka bllokuar 28.8 milionë euro që janë të të parapara për 172 projekte kapitale të Kryeqytetit.
Sipas Muratit, kjo ankesë e Ramës nuk qëndron, meqë siç ka thënë kësaj komune çdo vit i teprojnë paratë e buxhetuara për investime kapitale.
Ka thënë se këto dy vjet, Qeveria ka mundësuar mbi 270 milionë euro investime shtesë për Komunën e Prishtinës, por se deri në fund të muajit mars 2023, Komuna e Prishtinës ka arritur të realizojë vetëm 2% të buxhetit prej 40 milionë euro për investime kapitale të parapara për 2023.
“Me këtë ritëm, vështirë që arrin ta tejkalojë 50% të buxhetit, e lëre më të tejkalojë shifrën prej 40 milionë eurove. Prandaj edhe pretendimi se Komunës po i bllokohen investimet është totalisht joserioz, kur kihet parasysh që Komunës së Prishtinës çdo vit i teprojnë paratë e buxhetuara për investime kapitale”, ka shkruar Murati.
