Muja: Mësimdhënësit t’i kompensojnë orët e humbura dhe të paguhen avans

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, në seancën e sotme të Kuvendit duke folur për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit, ka thënë se askund në botë nuk paguhen grevistët.

Para deputetëve, Muja ka deklaruar se zgjidhja për të dalë nga kjo situatë është që mësimdhënësit t’i kompensojnë orët e humbura dhe të paguhen si avans – ashtu siç ka kërkuar Ministria e Arsimit.

“Mësimdhënësit tonë, unë dyshoj që kanë qenë të painformuar për pasojat, dhe rrjedhimisht kanë nevoja për t’i pagu shpenzimet e këtij muaji. Andaj, pagesa në formë të avansit, në kompensim të orëve është rrugë dalja e saj”, ka thënë deputeti i VV-së.

Tutje, sipas Mujës, problemi tjetër në vend është se mësimdhënësit janë bindur që pagat e tyre janë të ulëta.

“Kosova është e varfër, pagat e mësimdhënësve asnjëherë s’janë të mjaftueshme por është e rëndësishme të bëhet një krahasim. Pagat e mësimdhënësve shkojnë mesatarisht deri në 480 euro, aq është paga mesatare”.

“Edhe mësimdhënësit e Kosovës paguhen më shumë se në Maqedoni e Shqipëri, pra si vend i varfër mjaftueshëm i paguajmë, sepse s’kemi më tepër”, është shprehur Muja. 

Go to TOP