Muharremi: Rritja e LVV-së dhe pritjet e larta, sfida për Albin Kurtin në zgjedhjet e 9 shkurtit
Analisti politik Shenoll Muharremi ka komentuar mbi dinamikat politike dhe sfidat kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe liderit të saj, Albin Kurti, në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Në një analizë të bërë publikisht, Muharremi ka vënë theksin te sfida e menaxhimit të tkurrjes së mbështetjes elektorale, krahasuar me nivelin e jashtëzakonshëm të suksesit në zgjedhjet e vitit 2021. Sipas tij, rritja e pritjeve elektorale nga LVV ka krijuar një kundërefekt, duke ushtruar presion të madh mbi Kurtin dhe partinë e tij.
“Graviteti po e tërheq partinë aty ku e ka bazën nga niveli i para 14 shkurtit. Asgjë nuk rritet pakufi, e LVV është rritur rreth 340% brenda disa viteve. Strategjia elektorale për të rritur pritjet artificialisht ka shkaktuar presion dhe manifestime të dukshme si sulmet ndaj kundërshtarëve dhe mungesa e një programi të qartë zgjedhor,” ka deklaruar Muharremi.
Ai ka shtuar se pritjet e larta joreale mund të çojnë në kriza të përkohshme, pasi pritjet e trurit shpesh nuk përputhen me realitetin. Sipas tij, sfida për Kurtin dhe LVV-në pas zgjedhjeve do të jetë vendosja nëse do të pranojnë realitetin apo do ta përdorin atë si një mjet strategjik për navigim politik të mëtejshëm.
Muharremi e përmbyll analizën me parashikimin se, pas 9 shkurtit, dinamika politike do të stabilizohet, duke hapur një kapitull të ri për LVV dhe liderin e saj. Zgjedhjet e ardhshme pritet të jenë një pikë kthese për të testuar qëndrueshmërinë dhe aftësinë e partisë për të ruajtur një bazë të fuqishme mbështetësish. /Kosova.info/
