Muharremi i drejtohet me letër Kryeministrit në detyrë: Veproni urgjentisht për çmimet e energjisë, inflacioni po rrezikon ekonominë

Analisti Shenoll Muharremi ka bërë të ditur se i ka dërguar një letër publike Kryeministrit në detyrë të Kosovës, me kërkesën urgjente për të ndërhyrë në vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Letra vjen pas një takimi të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) me deputeten Hykmete Bajrami, ku u dorëzua një kërkesë zyrtare nga disa deputetë për anulimin dhe shtyrjen e vendimeve për tarifat e reja.

Sipas Muharremit, ZRRE ka deklaruar se “vetëm qeveria në detyrë mund ta parandalojë rritjen e çmimit të energjisë” – një hap që ai thotë se do të ishte kyç për të ndaluar një valë të re inflacioni që do të godiste direkt familjet, bizneset dhe ekonominë kombëtare.

Në letrën e tij, ai thekson se inflacioni është ndër goditjet më të rënda për ekonominë dhe paralajmëron dëme qindra milionëshe në rast se nuk merren masa. Ai përmend se subvencionimi prej 50 milionë eurosh, siç u përmend nga ZRRE, do të mjaftonte për të shmangur rritjen e tarifave dhe për të mbrojtur ekonominë.

Muharremi kujton se qeveria kishte vepruar ngjashëm në vitin 2022 dhe se muaj më parë kishte ndarë 70 milionë euro për shtesa pa planifikim, gjë që sipas tij tregon se kapaciteti fiskal ekziston për të vepruar sërish.

“Mosveprimi juaj vetëm do të thellojë varfërinë, pabarazinë dhe migrimin,” shkruan ai në fund të letrës duke kërkuar veprim të menjëhershëm dhe duke theksuar se kjo është një përgjegjësi që bie mbi qeverinë në detyrë. /Kosova.info/


Go to TOP