Mrika dhe Arianit Nikçi hyjnë në Librin Guinness: Babë e bijë me ngjitjen më të shpejtë të “Seven Summits” në histori

Është bërë zyrtare – emrat e Mrika dhe Arianit Nikçit tashmë janë të gdhendur në Librin e Rekordeve Guinness. Babë e bijë nga Kosova janë shpallur zyrtarisht si dyshe që për më së shpejti në histori kanë ngjitur shtatë majat më të larta të shtatë kontinenteve të botës, të njohura si “Seven Summits”.

Ky rekord botëror u arrit përmes një udhëtimi të jashtëzakonshëm që zgjati vetëm një vit dhe 202 ditë, nga data 25 janar 2018 deri më 15 gusht 2019. Gjatë kësaj periudhe, dy alpinistët shqiptarë ngjitën suksesshëm majat: Everest (Azi), Aconcagua (Amerika e Jugut), Denali (Amerika e Veriut), Kilimanjaro (Afrikë), Elbrus (Evropë), Carstensz Pyramid (Oqeani) dhe Vinson Massif (Antarktikë).

Kjo është hera e parë që emri i Kosovës përmendet në Librin e Rekordeve Guinness për një arritje të këtij niveli në sportin ekstrem të alpinizmit. Një sukses që i tejkalon kufijtë sportivë, duke u shndërruar në një dëshmi të potencialit të jashtëzakonshëm që njerëzit nga një vend i vogël si Kosova mund të përfaqësojnë në skenën botërore.

Mrika Nikçi u bë gjithashtu femra më e re në botë që ka ngjitur të shtatë majat e famshme, ndërsa babai i saj, Arianit Nikçi, udhëhoqi këtë rrugëtim si alpinist me përvojë dhe prind i përkushtuar. Ky rekord është rezultat i guximit, disiplinës, mbështetjes familjare dhe dashurisë për natyrën – një frymëzim për shqiptarët kudo që janë.

Kjo arritje historike vjen si dëshmi se asnjë ëndërr nuk është e paarritshme kur e ndjek me vullnet dhe përkushtim. Për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët, suksesi i Mrikës dhe Arianitit është një simbol krenarie dhe motivimi për brezat e rinj që sfidojnë botën me dinjitet dhe pasion. /Kosova.info/

Go to TOP