MPJ nuk e mohon biografinë e Gërvallës ku thuhet se ajo “nuk i lejoi ekstremistët e luftës” t’ia varrosin babanë

Ministria e Punëve të Jashtme s’është përgjigjur nëse një biografi e publikuar e kryediplomates kosovare, Donika Gërvalla, është shpërndarë zyrtarisht nëpër shtete të botës. Në atë biografi shkruan se Gërvalla pas luftës ka organizuar sjelljen e eshtrave të babait të saj dhe se funeralin s’e kanë kontrolluar “ekstremistët e luftës” pas vitit 1999, term që aludohet për ish-eprorët e UÇK-së.

Një biografi, që aludohej se ishte ajo zyrtarja që u dërgohet palëve me të cilat takohen ministrja Gërvalla, u shpërnda nga mediat gjatë kësaj jave.

Biografia e shkurtër e ministres Gërvalla është në gjuhën angleze dhe në një pjesë të saj thuhet se në funeralin që është organizuar nga vet ajo pas luftës për kthimin e eshtrave të Jusuf e Bardhosh Gërvallës e në të cilin kanë marrë pjesë më shumë se 150 mijë njerëz për herë të parë s’është kontrolluar nga “ekstremistët e luftës”.

“Në janar 2002, ajo organizoi sjelljen e eshtrave të babait të saj të vrarë dhe xhaxhait të saj në fshatin e tyre të lindjes, Dubovik. Më shumë se 150 mijë njerëz kanë qenë pjesëmarrës në funeral i cili ishte eventi i parë i madh që nuk ishte kontrolluar nga ekstremistët e luftës pas 1999-ës”, thuhet në biografinë e shkurtër të Gërvallës në gjuhën angleze.

Go to TOP