MPJ dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare: Izraeli nuk ka kryer dhe nuk do të kryejë veprime ushtarake në zonën e Rafahut që prekin jetën e banorëve

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Izraelit, kanë deklaruar se Izraeli nuk ka kryer dhe nuk do të kryejë veprime ushtarake në zonën e Rafahut, të cilat mund t`i shkaktojnë popullatës civile palestineze në Gaza, kushte jetese që mund të sjellin, tërësisht ose pjesërisht, shkatërrimin e saj fizik.

Në një postim në platformën X, të MPJ të Izraelit, thuhet se deklaratë, e përbashkët e Kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtetit të Izraelit, Tzachi Hanegbi, dhe Zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Shtetit të Izraelit, Oren Marmorstein, është se akuzat për gjenocid të ngritura nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë janë të rreme, skandaloze dhe moralisht të pështira.

“Pas sulmit të tmerrshëm kundër qytetarëve të Izraelit më 7 tetor 2023, Izraeli filloi një luftë mbrojtëse dhe të drejtë për të eliminuar Hamasin dhe për të siguruar lirimin e pengjeve tanë. Izraeli po vepron bazuar në të drejtën e tij për të mbrojtur territorin dhe qytetarët e tij, në përputhje me vlerat e tij morale dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, duke përfshirë të drejtën ndërkombëtare humanitare”, thotë MPJ e këtij vendi.

Izraeli thotë se nuk ka kryer dhe nuk do të kryejë veprime ushtarake në zonën e Rafahut, të cilat mund t’i shkaktojnë popullatës civile palestineze në Gaza kushte jetese që mund të sjellin, tërësisht ose pjesërisht, shkatërrimin e saj fizik.

“Izraeli do të vazhdojë përpjekjet e tij për të mundësuar ndihmën humanitare dhe do të veprojë, në përputhje të plotë me ligjin, për të reduktuar sa më shumë që të jetë e mundur dëmin e shkaktuar ndaj popullatës civile në Gaza. Izraeli do të vazhdojë të mundësojë që kalimi Rafah të mbetet i hapur për hyrjen e ndihmës humanitare nga ana egjiptiane e kufirit dhe do të parandalojë grupet terroriste që të kontrollojnë kalimin”, shkruan kjo ministri në X. /Kosova.info/

Go to TOP