Mourinho e nis me fitore te Benfica
Jose Mourinho e ka nisur aventurën e tij të dytë në krye të Benfica me një fitore 3-0 ndaj AVS të shtunën.
Heorhiy Sudakov e ka hapur serinë e golave në fund të pjesës së parë, ndërsa Vangelis Pavlidis e ka dyfishuar rezultatin nga penalltia. Franjo Ivanovic e ka vulosur fitoren me golin e tretë, duke e ngjitur Benfica në vendin e dytë në tabelë, pesë pikë pas Porto, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.
Trajneri portugez, që është rikthyer pas njëzet e pesë vitesh në pankinën e “Shqiponjave”, e ka festuar me shumë emocion golin e tretë, duke ngritur grushtin dhe madje duke goditur një kon.
Mourinho, i cili në karrierën e tij ka fituar trofe me Real Madrid, Manchester United, Inter e shumë skuadra të tjera, ishte shkarkuar nga Fenerbahce në gusht. Këtë javë, Benfica e ka larguar trajnerin Bruno Lage pas humbjes befasuese në Champions League ndaj Qarabag dhe e ka emëruar Mourinho si pasues.
Në aventurën e parë te Benfica, Mourinho kishte drejtuar vetëm njëmbëdhjetë ndeshje.
