Motra e Besnik Bislimit punësohet në Neonatalogji, dje QKUK e fshehu, sot e konfirmon

QKUK ka konfirmuar sot se motra e zv kryeministrit Besnik Bislimi është punësuar në njërën prej klinikave të hapura së fundi në kuadër të Spitalit Pediatrik. Valbona Bislimi është punësuar në klinikën e Neonatologjisë, pas hapjes së konkursit, së bashku me një kandidate tjetër.

Dje në një përgjigje QKUK nuk e mohoi e as nuk e konfirmoi punësimin e saj.

“Pas hapjes së Spitalit të ri Kirurgjik- Pediatrik, Klinika e Neonatologjisë, ka bërë kërkesë zyrtare për pranimin e specialistëve të neonatologjisë. Konkursi është publikuar dhe proceduar bazuar në legjislacionin në fuqi dhe janë udhëhequr të gjitha procedurat ligjore!” ka thënë dje QKUK .

Mirëpo sot nga bordi i SHSKUK-së e kanë konfirmuar se Bislimi është punësuar në këtë klinikë. Për të parën e cila është motra e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ish-kryesuesja dhe tani anëtarja e bordit, Agreta Gecaj-Gashi, mohon se ka pasur ndikim Besnik Bislimi për të punësuar motrën e tij.

E njëjta thotë se nga mediat e kanë kuptuar se Valbona Bislimi është motra e zëvendëskryeministrit të Kosovës. Gecaj-Gashi thekson se edhe numri i aplikueseve ka qenë i njëjtë me vendet e kërkuara, ndaj nuk ka pasur as ankesa.

Anëtarja e bordit të ShSKUK-së thotë se vetëm këto dy specialiste kanë qenë të papuna në Kosovë, derisa shton se ka mungesë të theksuar të këtij kuadri. Ajo thekson se nevoja është e madhe për këta profesionistë në QKUK, por edhe në spitale rajonale.

Go to TOP