Monaco e mban në pritje Ansu Fati
Monaco po vepron me kujdes maksimal ndaj Ansu Fati, sulmuesit spanjoll që iu bashkua klubit këtë verë në formë huazimi nga Barcelona.
Pas një historie me lëndime të rënda, Fati ende nuk ka luajtur asnjë minutë për skuadrën e tij të re, madje as në gjashtë miqësoret e zhvilluara gjatë fazës përgatitore.
Trajneri i Monacos, Adi Hutter, pas fitores bindëse 5-0 ndaj Coventry City më 16 korrik, ka sqaruar se situata e Fati lidhet ekskluzivisht me menaxhimin fizik të tij.
“Ansu Fati është gjithnjë e më afër bashkimit me grupin dhe me Paul Pogban. Te Barcelona nuk pati mundësinë të punojë siç duhet, por besoj se për dhjetë ose pesëmbëdhjetë ditë do të jetë më prezent në stërvitje”, është shprehur Hutter. “E dua sa më shpejt në fushë, por siç kemi thënë më parë, duhet të jemi të kujdesshëm me Ansun. Nuk duam të përsërisë lëndimet ose të akumulojë probleme fizike”.
Fati është duke ndjekur një program stërvitor, i ndërtuar në bashkëpunim me klubin, që synon rikthimin gradual.
