Modriç zbarkon sot në Milani, zbulohet numri i fanellës dhe detajet tjera
Më në fund ka ardhur momenti i shumëpritur për transferimin e Luka Modric te AC Milan. Mesfushori kroat pritet të mbërrijë sot në Milano për t’iu nënshtruar testeve mjekësore dhe atyre të fitnesit, në prag të zyrtarizimit të transferimit të tij te klubi kuqezi.
Pas përfundimit të aventurës së lavdishme me Real Madridin, Modric vjen si lojtar i lirë dhe është gati të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij. Sipas planit, kroati do të zbresë në aeroportin e Malpensës rreth orës 11:00 me një fluturim privat nga Madridi. Më pas, ai do të kryejë vizitat mjekësore në Clinica La Madonnina dhe testet fizike në Centro Ambrosiano.
Pas përfundimit të kontrolleve, Modric do të nënshkruajë kontratën në ambientet e Casa Milan, ku do të realizohen edhe fotot zyrtare me fanellën kuqezi. Ai do të mbajë numrin 14, të lënë të lirë nga holandezi Reijnders, i cili është transferuar te Manchester City.
Kontrata e mesfushorit 39-vjeçar do të jetë e vlefshme deri më 30 qershor 2026, me opsion për zgjatje edhe për një sezon tjetër. Paga vjetore e Modric do të jetë rreth 3.5 milionë euro.
Në orët e mbrëmjes, Modric do të udhëtojë për në Zagreb me një tjetër fluturim të planifikuar, por më parë do të ndalet në Milanello, ku do të takojë trajnerin Massimiliano Allegri dhe shokët e rinj të skuadrës.
Pas konfirmimit zyrtar të transferimit, ai do të nisë pushimet verore, për t’u kthyer në Itali më 4 gusht, kur do t’i bashkohet përgatitjeve parasezonale të Milanit nën drejtimin e Allegrit. Sezoni i fundit ka qenë tejet intensiv për kroatin, me 63 ndeshje të zhvilluara, 4 gola dhe 9 asiste në total.
