Mjekët e pangopshëm!

Shkruan: Florim ZEQA 

Pas politikanëve, gjykatësve dhe prokurorëve, janë mjekët ata që radhiten në listat e njerëzve më të pasur në Kosovë, të cilët pa mëdyshje janë në koordinim të shkëlqyeshëm mes tyre, në mos tjetër në riciklimin e parasë publike, të keq-përdorur nga politika kosovare tani e 25 vite më parë. 

Humaniteti i mjekut shqiptar 

Më funksionale ka qenë shëndetësia kosovare në periudhën e viteve të 90-ta sesa tani, në mos për tjetër, për aspektin humanitar të mjekëve shqiptar. Këtë dëshiroj ta ilustroj më shembullin personal në janarin e vitit 1995, ku për shkak të disa komplikimeve shëndetësore, duhej t’i nënshtrohesha një intervenimi kirurgjik në repartin e ORL-s në Spitalin e Pejës.

Fillimisht shkova në ordinancën private të mjekut të mirënjohur shqiptar, specialistit të ORL-s, z. Mahir Morina në Pejë, i cili kishte konstatuar nevojën e këtij intervenimi kirurgjik. Më të kuptuar se jam punonjës i arsimit shqip, nga ordinanca e tij private më sugjerojë intervenimin në Spitalin e Pejës, për t’ma kryer të njëjtin intervenim pa pagesë, pasi në ordinancën e tij private, i njëjti intervenim do të më kushtonte hiq më pak se 400 DM të asaj kohe.

Le të shërbej ky shembull human i mjekut Mahir Morina, për mjekët që nuk e njohin betimin e Hipokratit, të cilët në vend që shërbimet pacientëve tua kryejnë në spitalet publike, ju rekomandojnë që këtë ta bëjnë në klinikat dhe ordinancat e tyre private, më qëllim të përfitimit nga pacientët më sëmundje të rënda dhe kancerogjene, nga të cilat përfitojnë me mijëra dhe dhjetëra mijëra euro për një intervenim të vogël kirurgjik.

Kjo lidhje mafioze në sistemin shëndetësor është nga paslufta e deri në ditët e sotme.

Të mos flasim me abuzimet e mëdha tenderuese në sistemin shëndetësorë, nga të cilat përfitojnë politikanët e nivelit të lartë dhe mafio-oligarkët ekonomik mbi kurrizin e pacientëve dhe qytetarëve në përgjithësi.

Pa ndaljen e këtij trendi korruptiv, nuk do të ketë përmirësime në sistemin shëndetësorë. 

I betohen Hipokratit, i shërbejnë hipokritit 

Kosova 25 vjet pas lufte dhe 16 vjet pas-pavarësisë është kjo; pa arsim cilësor, pa sigurime shëndetësore, pa drejtësi, pa zhvillim ekonomik, pa siguri në investime dhe pa siguri për vetë jetën e qytetarëve të këtij vendi. Si rezultat i korrupsionit dhe nepotizmit, arsimin e kemi në nivelin më të ulët në tri dekadat e fundit.

Përkundër shumë universiteteve publike dhe private, në vend që të kemi prodhim të kuadrove cilësore dhe kualitative, kemi fabrikim të tyre në të gjitha nivelet.

Mirëpo situata më shqetësuese mbetët tek sektori i shëndetësisë me fabrikimin e mjekëve, ku pasojat e këtij fabrikimi po barten tek popullata, e në veçanti tek shtresat më të varfra, të cilat nuk e kanë mundësinë e zgjedhjes se mjekëve më të mirë e as të mjekimit jashtë institucioneve publike (klinika private), ku shpesh ndodhë që përveç kostos materiale, injorancën e mjekëve qytetarët e paguajnë më jetën e tyre.

E pësojnë keq kategoria e atyre pacientëve që janë në gjendje të vështirë ekonomike (rastet sociale), më të cilët e për të cilët nuk përkujdeset askush.

Pacientët e varfër kontrollohen pa ndonjë vëmendje të duhur nga mjekët e pangopshëm, e nganjëherë injorohen fare duke i mbajtur në pritje me orë të tëra korridoreve të spitalit derisa me ta të merret ndonjë mjek praktikant më qëllim të “arritjes se përvojës profesionale”.

Mirëpo, mbetët e pa justifikueshme kur kjo ndodhë nga disa mjekë më përvojë dhe me renome ndërkombëtare, që deri dje i kanë qëndruar besnik betimit të HIPOKRATIT dhe i kanë shërbyer me devotshmëri popullit të tyre!

Mirëpo, kjo nuk është befasi për mjekët e fabrikuar pas lufte, të cilëve përveçse ju ngatërrohet Hipokrati më HIPOKRITIN, (shkollat partiake nuk i kanë mësuar më mirë) nuk dinë çfarë të bëjnë apo ndoshta ju përzihen opsionet nganjëherë për shkakun e ngatërrimit të zanores nga ” A në I”, duke harruar se profesioni i mjekut është mision i paqes dhe humanizmit, është mision i më i shenjt i një shoqërie njerëzore.

Koordinimi i shkëlqyeshëm i mjekëve më barnatoret dhe klinikat private, ka bëre që biznesi i tyre të zhvillohet në mënyrë marramendëse, varësisht prej sëmundjeve dhe gjendjes ekonomike të pacientëve.

Mjekët “inteligjent” pasi e verifikojnë (studiojnë) mirë pacientin e tyre për gjendjen ekonomike ose që e kanë ndonjë familjar apo të afërm në Diasporë, atëherë në bazë të këtyre kritereve ju caktohet “diagnoza” dhe iu jepet “terapia” e shërimit të ngadalshëm.

Edhe pse jemi duke bashkëjetuar që sa vite me këtë të keqe, të shumtë janë ata që nuk pajtohen, por të pakët janë ata që reagojnë ndaj këtyre dukurive të shëmtuara të shoqërisë sonë. 

Të kota do të jenë përpjekjet për përmirësim të gjendjes në shëndetësi pa luftimin e korrupsionit, këtij sindromi kancerogjen të shoqërisë sonë, fillimisht më shuarjen e posteve politike të ‘sekretarëve permanent’ në QKUK që nga paslufta e këndej, përmes të cilëve është ushqyer parapolitika dhe politika e lartë në Kosovë, duke e bërë të pa vlerë e të pa fuqishëm rolin e drejtorëve të kësaj qendre spitalore.

Go to TOP