Mjegull e madhe: Shtyhen disa fluturime nga Aeroporti i Prishtinës

Mjegulla, e cila ka përfshirë zonën e Aeroportit të Prishtinës, ka shkaktuar telashe në fluturimet nga ky aeroport.

Në mesin e linjave të cilave u janë shkaktuar vonesa janë ato për Basel dhe Vjenë, raporton Albinfo.ch.

Ndërkohë, mësohet se një aeroplan i kompanisë ‘Wizz Air’, i cili nga Vjena kishte destinacion Kosovën, është detyruar të aterojë në Shkup.

Derisa nga Kompania ‘Easy Jet’ është mësuar se udhëtarët që kanë pasur të udhëtojnë prej Prishtinës në Basel, po dërgohen me autobusë në Shkup, prej ku nesër do të nisen drejt Baselit.

Ndërkohë, një udhëtar, që kishte për të fluturuar nga Prishtina drejt Baselit, tha se tash e disa orë është duke pritur në Aeroportin e Prishtinës.

“Jemi prej orës 18:00 duke pritur në aeroport. Fluturimin e kemi pasur në orën 19:30 dhe u anulua. Deri tash, askush nuk na ka dhënë asnjë informacion. Jemi me fëmijë të vegjël dhe askush nuk jep përgjegjësi. Tash dikush na thotë me na dërgu në Shkup në hotele, dikush na thotë në hotele në Prishtinë. Askush nuk di kah me ia mbajt. Tash po presim këtu deri sa të na japin një përgjigje”, thotë Mentor Nushi nga Gjakova.

Go to TOP