Ministrja e Kurtit tha se po shqyrtohet ndërtimi i infrastrukturës së gazit, Qeveria i vë kushte të papranueshme amerikanëve

Kosova po shqyrton mundësinë e ndërtimit të infrastrukturës së gazit. Për këtë çështje investimi, ekzekutivi ka zhvilluar takime me MCC – korporatë amerikane. Megjithatë, Express ka mësuar se qeveria i ka mbyllur derën këtij investimi duke vënë kushte të papranueshme për amerikanët. Por, ministrja e Kurtit është treguar skeptike duke thënë se nuk mund të merret një vendim pa e ditur koston.

Gjatë një konference për media, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka dhënë detaje lidhur me këtë projekt. Ajo gjithashtu u tregua skeptike duke thënë se nuk mund të vendoset lidhur me këtë cështje pa i ditur fillimisht disa përgjigje. 

“Në veçanti janë disa çështje, të cilat kërkojnë qartësim, siç janë financat, dhe ta dijmë se cila do të ishte kosto totale, kush do t’i financonte, kush do ta ndërtonte termocentralin, e që është thënë se do të ndërtohej me partneritet publiko-privat. Poashtu do të duhej të merrnim kredi në shumë të mëdha për përfundimin e projektit, të cilat do t’i paguanin konsumatorët. Vendimet nuk do të merren pa e ditur se sa do të kushtojë dhe pa e ditur se sa do të jetë çmimi që do të paguajë konsumatori për energji”, tha Ministrja Rizvanolli.

Tutje, Rizvanolli tha se për këtë temë, deri më tash, janë zhvilluar pesë takime të nivelit politik me ekspertët e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit të Qeverisë së SHBA-së (MCC) dhe shumë punëtori të tjera.

Megjithatë, Express mëson se qeveria i ka mbyllur derën këtij investimi duke vënë kushtë të papranueshme për korporatën amerikane.

Ajo gjithashtu tha se MCC-ja ka alokuar një grant deri në 200 milionë dollarë që do të mund të shfrytëzohej për ndërtimin e kësaj infrastrukture.

Kosova prodhon energji duke përdorur djegien e thëngjillit, që llogaritet si një prej kontribuuesve kryesorë në ndotjen e ajrit.

Go to TOP