Ministria e Mbrojtjes: Vetëqëndrueshmëria, opsioni më i mirë për zgjidhjen e problemit të ushqimit

Teksa deputetët po vazhdojnë debatin dhe akuzat ndaj Qeverisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, kjo e fundit reagoi përmes një postimi në Facebook, duke sqaruar se ministri Ejup Maqedonci nuk ka refuzuar të nënshkruajë kontratë me operatorin e ri ekonomik për ushqim për FSK-në.

Ministria e Mbrojtjes tha tenderi për furnizim me ushqim për FSK-në është anuluar për shkak se ka kontest mes grupit të operatorëve ekonomikë që janë shpallur fitues.

Ministria tha se koncepti i vetqëndrueshmërisë është opsioni më i mirë për zgjidhjen e problemit të ushqimit.

“Mosvazhdimi i kontratës me operatorin e deritanishëm s’do të thotë paralizim i ofrimit të këtij shërbimi”, u tha në reagim.

Ministria tha se aktualisht në çdo kazermë janë të angazhuar kuzhinierët e Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Qendrës Studentore, por po ashtu më 10 tetor ka hapur konkursin për pranimin e stafit profesional të kuzhinerëve.

“Me pranimin e personelit prej 106 personash kjo problematik do t’i përkasë së kaluarës. Pa kosto të madhe financiare ushtrisë do t’i servohet vetëm ushqim cilësor”, u tha në reagim.

Në javët e fundit, mediat lokale kanë publikuar shpesh fotografi të shujtave të ushtarëve, si dhe ankesave të pjesëtarëve të FSK-së për ushqimin që u servohet.

Më herët, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka thënë se të gjitha kazermat e FSK-së janë funksionale dhe se në to shërbehet llojllojshmëri shujtash, ndërsa raportimet në media i ka quajtur propagandë.

Go to TOP