Ministria e Bujqësisë me projekte për infrastrukturë bujqësore
Sot, Ministri në detyrë i Bujqësisë, i Pylltarisë dhe i Zhvillimit Rural, Armend Muja, së bashku me Kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, nënshkruan tri marrëveshje të rëndësishme për zhvillimin e bujqësisë dhe infrastrukturës rurale në Podujevë.
Marrëveshjet përfshijnë financimin e përfundimit të projektit “Parku Bujqësor në fshatin Sfeqël”, financimin e projektit “Sistemi i ujitjes së tokave bujqësore në Komunën e Podujevës”, si dhe ndryshimin dhe plotësimin e Marrëveshjes së Mirëkuptimit për projektin “Ndërtimi i Kanalit të Ujitjes në Lupç të Poshtëm”.
Këto investime synojnë zgjerimin e infrastrukturës së ujitjes, krijimin e kushteve më të mira për fermerët dhe rritjen e produktivitetit bujqësor. Projektet pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e qëndrueshëm rural dhe fuqizimin e sektorit bujqësor në Komunën e Podujevës.
Përmes këtyre investimeve, Ministria e Bujqësisë dhe Komuna e Podujevës po vazhdojnë angazhimin e përbashkët për mbështetjen e fermerëve dhe avancimin e infrastrukturës bujqësore në këtë komunë. /Kosova.info/
