Ministri i Mbrojtjes i jep llogari Putinit, pasi Perëndimi deklaron se ushtria ruse ka ngecur

Ministri rus i Mbrojtjes ka thënë se pushtimi rus në Ukrainë po kryhet me sukses, pavarësisht pretendimeve të liderëve perëndimorë se ushtria ruse ka hasur në pengesa dhe rezistencë të paplanifikuar.

“Gjithçka po shkon sipas planit”, i tha Sergei Shoigu presidentit rus Vladimir Putin në një takim të Këshillit të Sigurisë, që u transmetua edhe në televizion.

Shoigu pohoi gjithashtu se ushtria ruse ka marrë mbi 16,000 aplikime nga vullnetarë në Lindjen e Mesme që duan t’i bashkohen luftës në Ukrainë.

“Ne kemi një numër të madh të aplikimeve nga vullnetarë të vendeve të ndryshme, të cilët dëshirojnë të vijnë në Republikat Popullore të Luhansk dhe Donetsk për t’u bërë pjesëmarrës në atë që ata e konsiderojnë si lëvizje çlirimtare”.

Ministri i Mbrojtjes gjithashtu i kërkoi Putinit më shumë armë për të armatosur seperatistët e Donbasit.

“Ne kemi grumbulluar një numër të madh armësh ukrainase: tanke, automjete të blinduara dhe të gjitha llojet e armëve të vogla, mjaft artileri”.

Putini mbështeti sugjerimet e tij, duke thënë se Rusia duhet të ndihmojë vullnetarët që dëshirojnë të luftojnë në Donbas që të transferohen në vijat e frontit.

“Nëse shihni se ka njerëz që duan në baza vullnetare, sidomos jo për para, të vijnë dhe të ndihmojnë njerëzit që jetojnë në Donbas, mirë, ne duhet t’i mirëpresim dhe t’i ndihmojmë të lëvizin në zonën e luftës,” tha Putin.

Go to TOP