Ministri Çeku i reagon ambasadorit gjerman për shtëpinë e Xhafer Devës

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka reaguar ndaj ambasadorit gjerman, Jorn Rohde, lidhur me Shtëpinë e “Xhafer Devës”, në Mitrovicë.

Çeku ka thënë se restaurimi i monumenteve bëhet për t’i shërbyer komunitetit, jo për revizionizëm historik apo rehabilitim figurash.

Sipas tij, monumenti është pronë publike, ka vlera të mëdha estetike dhe për nga tipologjia e ndërtimit paraqet ndër shembujt e parë në Kosovë të kalimit në arkitekturën moderne europiane.

Ai shtoi se kjo është pjesë e kujtesës kolektive të banorëve të Mitrovicës dhe së fundmi edhe simbol i rezistencës qytetare karshi betonizimit.

“Është ndërtuar në vitin 1930 dhe në Listën e Trashëgimisë Kulturore figuron si “Shtëpia e Xhafer Devës” edhepse kryesisht ka pasur përdorim publik, përfshi si shtëpi shëndeti. Prandaj nuk është e thënë që duhet ta mbajë këtë emër me çdo kusht. Për vite me radhë ka qenë cak i grupeve të caktuara të interesit, përveç që i është vënë flaka, ndërtime të reja shumëkatëshe e kanë ngufatur nga të gjitha anët”.

“Emri që mban monumenti është shënjuesi më i parëndesishëm krahasuar me funksionet publike dhe vlerat që përfaqëson kjo ndërtesë për qytetin dhe qytetarët. Ndërtesa ka marrë statusin e asetit të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të ligjit në vitin 2011. Në vitin 2010 është hartuar për herë të parë projekti për restaurim, ndërsa i njëjti është reviduar në vitin 2017. Ndërhyrja e kaluar restauruese nga Ministria e Kulturës është bërë në vitin 2018 (faza e parë, kryesisht konsolidim strukturor)”.

“Nisma e fundit për restaurimin e këtij monumenti i takon verës së vitit të kaluar (faza e dytë dhe e fundit, funksionalizim), dhe është pjesë e programit të përbashkët të Ministrisë së Kulturës me Bashkimin Europian dhe UNDP-në, ku bëjnë pjesë edhe monumente të tjera (xhami, kisha, shtëpi, kulla, muze). Përzgjedhja e këtyre monumenteve është bërë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Lajmin për këtë e kemi publikuar fillimisht në muajin qershor të vitit të kaluar dhe më pas në disa raste të tjera, ndërsa kjo temë është trajtuar gjerësisht edhe nga mediet”.

“Është e habitshme se si muaj më pas dhe krejt papritur kjo u shndërrua në “çështje shqetësuese”. Pas restaurimit, monumenti është planifikuar t’i shërbejë komunitetit dhe përveç akomodimit të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore Mitrovicë do të ketë hapësirë për galeri arti, funksion muzeal dhe ngjarje të tjera kulturore. Në atë galeri mund të ekspozohen fotografi e dëshmi mbi të kaluarën e Xhafer Devës apo ndonjë personaliteti tjetër historik (i pëlqeu dikujt apo jo), apo mbi historitë e hebrenjve që u shpërngulën në Kosovë e Ballkan për t’i shpëtuar Holokaustit”.

“Hapësira muzeale mund t’i dedikohet vrasjeve gjatë Luftës së dytë Botërore. Mirëpo e kaluara e personalitetit përkatës nuk mund të jetë faktor përcaktues nëse ai monument e meriton të restaurohet. Monumenti i restauruar le të shërbej edhe si hapësirë e ballafaqimit me të kaluarën, ku mund të dokumentohet dhe ekspozohet edhe ana e errët e historisë sonë”.

Go to TOP